E Diel, 1 Nëntor 2026

Qindra hektar pyje të degraduara në parkun e Munellës, ADZM: Prioritet rehabilitimi dhe parandalimi i dëmtimeve

Parku Natyror i Munellës ka pësuar degradime të ndjeshme përgjatë tri dekadave të fundit, çka e bën domosdoshmëri marrjen e masave parandaluese dhe rehabilituese në fondin pyjor.

Sipas drejtuesve të shërbimit pyjor pranë Administratës së Zonave të Mbrojtura të qarkut Shkodër, qindra hektarë masive pyjore në pjesën veriperëndimore të malit të Munellës, në territorin e Pukës, rezultojnë të dëmtuara nga zjarret dhe prerjet pa kriter.

“Parku Natyror i Munellës vjen me një trashëgimi të hedhur nga prerjet abuzive që kanë ndodhur në periudhën e tranzicionit, pastaj të djegies. Kemi evidentuar vetëm pjesën që ka qarku i Shkodrës në këtë qark, ka nevojë të rehabilitohen rreth 600 hektarë, kryesisht me halorë sepse është vetë habitati i tillë,” tha Tonin Macaj, Përgjegjës i Shërbimit të Menaxhimit, ADZM Shkodër.

Krahas punës për rehabilitimin e sipërfaqeve të zhveshura nga bimësia, ADZM ka vënë në fokus edhe masat parandaluese për të frenuar dëmtimet e mëtejshme, sidomos gjatë periudhës së dimrit, kur rritet rreziku i prerjeve ilegale.

“Përveç se janë 15 roje në terren, ku secili ka një zonë të caktuar që përgjigjet për të, ka dhe monitorime të ndryshme që bëhen nga drejtoria jonë, qoftë për prerje apo dhe ndërtime të paligjshme,” tha Macaj.

Parku Natyror i Munellës, i shpallur zonë e mbrojtur prej katër vitesh, është ndër hapësirat më të pasura për nga biodiversiteti dhe burimet natyrore në veri të vendit. Çdo dëmtim i këtij territori konsiderohet humbje e madhe për mjedisin dhe ekosistemin lokal.

Gazetar: A.Hoti   

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›