Nga Shtëpia e të Rinjve në Shkodër në shkollë profesionale, Koçiu ndan historinë e 16-vjeçarit

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Historia e Klismanit është dëshmia se me vullnet dhe mbështetje, çdo sfidë mund të kapërcehet.
16-vjeçari nga Shtëpia e të Rinjve në Shkodër, përballë vështirësive të jetës, ka vënë vullnetin për të ndërtuar të ardhmen e tij.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, përcolli historinë e të riut, teksa bëri të ditur se sot ai ndjek mësimet në shkollën profesionale pyjore “Kolë Margjini”, ku po mëson një zanat që po i hap dyert drejt një të ardhme të sigurtë e të qëndrueshme.
“Rrugëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë, por me përkushtim dhe mbështetje, integrimi drejt tregut të punës është më i sigurtë për Klismanin, i cili na tregon se forca e shpirtit, mbështetja dhe mundësitë e reja mund të sjellin ndryshime të mëdha. Forca Klinsman”, u shpreh ministrja Koçiu.
Klisman jeton prej një viti në Shtëpinë e të rinjve në Shkodër. Ai tregon se aty ndjehet si në shtëpinë e tij.
Inxhinierja e Përpunimit të Drurit, Majlinda Sekja thotë se është mirë që institucioni e ka drejtuar Klismanin në këtë shkollë profesionale, në drejtimin e përpunimit të drurit, sepse do ta ketë shumë të lehtë punën nesër.
Çesk Rakaj mësues i kësaj shkolle thotë se nxënësit e Qendrës trajtohen me një kujdes të veçantë, dhe se mbështeten maksimalisht në mënyrë që ata të dalin profesionist të zotë nesër në treg.
Vetë Klisman e di se sa e rëndësishme është që të marrësh një zanat për nesër. Ai shprehet se ka vullnet të punojë dhe e do punën.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bën të ditur se deri tani mbi 4 500 të rinj kanë zgjedhur të nisin studimet në arsimin profesional këtë vit shkollor. Në total janë 15 mijë të rinj që vijojnë studimet në shkollat profesionale.
Arsimi profesional përfshin një gamë të larmishme fushash studimi, ku secila ofron mundësi unike për studentët për të zhvilluar aftësi të specializuara dhe për të ndjekur karriera frytdhënëse.
Qeveria po mbështet nxënësit që ndjekin arsimin e mesëm profesional me mbi 2500 bursa studimi deri në 7 320 lekë/muaj për të rinjtë.