E Enjte, 5 Nëntor 2026

MOLDAVI – Sandu bën thirrje për më shumë mbështetje të BE-së për të siguruar demokracinë

KISHINEV, 17 shtator /ATSH-DPA/- Qeveria e Moldavisë është në një garë me kohën për të mposhtur luftën dhe për të vazhduar në ndërtimin e demokracisë, tha sot presidentja moldave, Maia Sandu në një takim me zyrtarët e huaj, në Kishinev.

Sandu u bëri thirrje qeverive të huaja që përkrahin Moldavinë për më shumë mbështetje, duke theksuar se progresi ekonomik mbetet thelbësor për forcimin e mbështetjes për demokracinë dhe demokracia është themeli më i mirë për krijimin e një ekonomie të begatë.

“Moldavia është gati për të nxitur rritjen dhe stabilitetin në vend dhe në rajon, por ne nuk mund ta bëjmë atë vetëm. Shpresojmë në mbështetjen tuaj të mëtejshme”, tha ajo.

Moldavia është një nga vendet më të varfra në Evropë dhe vendi është i ndarë midis forcave politike pro-BE dhe pro-ruse.

Ashtu si Ukraina, Moldavia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2022. Më 20 tetor, në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale, Moldavia do të mbajë një referendum nëse synimi për t’u anëtarësuar në BE do të përfshihet në kushtetutën e vendit.

Mbështetësit e referendumit e shohin atë si një hap që do të forconte rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Qeveria e Moldavisë shpreson të bashkohet me BE-në deri në vitin 2030, megjithëse ky afat kohor shihet si shumë ambicioz.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, e cila ndihmoi në nisjen e konferencës ndërkombëtare për të mbështetur Moldavinë së bashku me Francën dhe Rumaninë në prill 2022, u takua sot me Sandu në Kishinev. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›