Nga Traktati i Bashkimit Europian tek evazioni fiskal
Llogaritë ishin kryer të detajuara edhe më përpara por tani duket se në llogarinë e vendit fqinj për dy vitet e ardhshme do të mungojnë tre miliardë euro më tepër se ajo që ishte parashikuar. Këtë lajm ka dhënë gazeta «Spiegel» duke shtuar më tej se Trojka (Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane) e ka zbuluar këtë në udhëtimin e saj të fundit që ka kryer në vendin fqinj të Greqisë. Në këtë situatë të re për dy vitet e ardhshme Greqia nuk do të ketë nevojë për 11,5 miliardë euro por për një shifër që arrin në 14 miliardë euro. Natyrisht këto shifra vijnë nga të ardhurat e reduktuara që kanë sjellë privatizimet e kryera. Nga ana tjetër është folur se as këto shifra nuk janë të sakta dhe se do të saktësohen pak më vonë dhe pikërisht në muajin shtator kur Trojka do të kthehet përsëri në vendin fqinj. Ka patur ndërkaq edhe një raport të përkohshëm mbi qeverinë greke dhe kryeministrin grek. Sidoqoftë nuk arrihet që të shpjegohet se nga do të kursehen 11,5 miliardët kur një e treta e tyre mungon. Ndërkaq flitet se mundësitë janë dy e para se ndoshta interesat e kredive do të ulen por ka nga ata të cilët nuk e përjashtojnë edhe mosdhënien e kredisë. Ndërkaq nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian po kërkohet modifikimi i Traktaktit të Bashkimit Europian në të cilin duhet të rishikohet edhe përjashtimi i vendeve që do të kenë probleme. Një ndër ta është ministri i Jashtëm i Austrisë, Spindelegger i cili nuk ka ngurruar të flaës për këto modifikime edhe me kolegët e tij. Natyrisht ndonjë prej tyre nuk ka qenë dakord me këtë dhe vlen të përmendet ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Zhan Asselborn sipas të cilit në këtë mënyrë “do të shkohet në një drejtim të gabuar sepse shpirti i Bashkimit Europian është ai i favorizimit të integrimit dhe jo i shpërbërjes”. Në linjën e mbrojtjes të Bashkimit Europian në linjë të parë është padyshim edhe presidenti i Eurogrupit Zhan – Klode Junker i cili madje ka deklaruar se tregjet janë treguar të padrejta me disa prej vendeve të Bashkimit Europian duke cituar konkretisht Spanjën dhe Italinë dhe tregjet sipas tij nuk kanë marrë parasysh përpjekjet e tyre për daljen nga kriza. “Të dy vendet kanë nisur masa të rëndësishme për t’u konsoliduar, por tregjet kanë reaguar sikur këto ndryshime mos të kishin ndodhur”. Nga ana tjetër Junker ka folur edhe për Greqinë duke theksuar se Greqia nuk do të braktisë zonën euro edhe pse teknikisht dalja e saj është e mundshme. Sidoqoftë më pas ka korrigjuar duke shtuar “Se kjo nuk do të ndodhë. Nëse Greqia nuk do të pranonte konsolidimin e bilancit dhe të reformave strukturore, atëherë kjo do të merrej në konsideratë”. Për krizën kanë folur edhe ministrat Financës të vendeve të Bashkimit Europian. Qeveritë e zonës euro duhet të mendojnë për një plan emergjence për rastin kur nismat për të zgjidhur krizën mund të falimentonin – është shprehur ministri i Financave të Gjermanisë, Wolfang Shauble i cili më tej ka deklaruar se: “Nuk është e mundur që të bëhet një program i ri për Greqinë”. Më tej ka vazhduar se edhe për ndihmat ka një kufi. Një problem tjetër për vendin fqinj të Greqisë është edhe ai evazionit fiskal. Në fillim të vitit 2012 në Greqi numëroheshin rreth 4 mijë persona dhe firma të cilat kishin një evazion që arrinte në 14 miliardë euro. Në fakt ky nuk është vetëm një problem i Greqisë sepse edhe Italia karakterizohet nga një evazion fiskal i lartë. Sipas Istat Italia, në vitin 2008 në arkat e shtetit mungon rreth 255- 275 miliardë euro që e përkthyer në shifra është sa 16-17% e GDP të Italisë. Shpeshherë në Itali është punuar për Ekonominë e pavëzhguar dhe flukset financiare. Tashmë është propozuar që lista e tyre të publikohet. Natyrisht ka nga ata që besojnë se kjo do të shkelte privatësinë e personave një element që gjithsesi do të ishte i kapërcyeshëm. Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti e ka përcaktuar këtë problem duke theksuar se “Italia është në gjendje lufte” pikërisht për evazionin fiskal. Ndoshta edhe qeveria italiane kërkon që të ndjekë shembullin britanik kun ë internet publikohen fotografitë e atyre që shkelin ligjin. Fotografi që shëtisin në internet dhe më të kërkuarit janë ata të (Her Majesty Revenue and Customs) të cilët konsiderohen përgjegjës të evazioneve për shifra që arrijnë në 765 sterlina. Në Itali nuk ekziston ende një ligj i tillë por politika italiane po e merr në konsideratë edhe këtë përvojë britanike.
...