E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga emigracioni te sukses në vendlindje, fermeri investon në bimët aromatike e mjekësore

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Nga Pojani në Maliq, Ervis Xhihani zgjodhi të rikthehej në vendlindje pas shumë vitesh emigrimi dhe të investonte në një aktivitet të lidhur ngushtë me tokën dhe potencialin bujqësor të zonës: kultivimin dhe grumbullimin e bimëve aromatike e mjekësore.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ndau historinë e Xhihanit, duke vënë në dukje potencialin ekonomik të sektorit të bimëve mjekësore, të cilat kanë kërkesë të lartë si në tregun vendas, ashtu edhe në tregjet e huaja.

Xhihani kultivon dhe grumbullon disa lloje bimësh aromatike e mjekësore, mes tyre kandilën, qumështoren, mullagën dhe erodhën. Sipas tij, aktiviteti është orientuar ndjeshëm drejt eksportit, ndërsa rreth 80% e prodhimit të kompanisë dërgohet në tregjet e huaja, kryesisht në SHBA, Gjermani, Holandë e Suedi.

Bimët mjekësore po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një mundësi për rritjen e të ardhurave në zonat rurale, falë kërkesës së qëndrueshme të tregut dhe mundësive për eksport.

Për Xhihanin, rikthimi nga emigracioni dhe investimi në vendlindje është shoqëruar me krijimin e një aktiviteti ekonomik që lidh prodhimin bujqësor me tregjet ndërkombëtare, duke i dhënë vlerë tokës dhe burimeve të zonës së Maliqit.

Salla thekson se zhvillimi i sektorit të bimëve aromatike dhe mjekësore përbën një mundësi konkrete për fermerët dhe sipërmarrësit që zgjedhin të investojnë në bujqësi dhe në prodhime me kërkesë të lartë në tregjet e huaja.

/e.xh/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›