E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nga ligji i hapjes së dosjeve tek mbyllja e çështjes “non grata”, Felaj: Berishës i ka ikur koha

Hapja e dosjeve do të jetë një operacion i thellë, që do të prekë jo vetëm politikanët, por dhe të emëruarit e administratës. Nënkryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj, e krahasoi nismën me ligjin e dekriminalizimit, duke theksuar do të jetë një operacion i thellë pastrimi nga ish- bashkëpunëtorët dhe ish- spiunët e Sigurimit të Shtetit.

“Është e domosdoshme të shtrihet në të gjitha nivelet, si në ligjin e dekriminalizimit. Ka patur raste kur një i emëruar me certifikatë pastërtie nga 2 komisionet e mëparshme, i është drejtuar Autoritetit. Një rast absurd, pasi certifikata e mbante për të pastër, ndërsa verifikimet e Autoritetit e nxorën bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Pra, e kuptojmë shumë mirë çfarë të vërtetash përmbajnë ato certifikata. “- shprehet Felaj për emisionin “Pa Censurë” në RTSH.

Nënkryetarja e Parlamentit pranoi edhe tërheqjen e PS nga nisma për të larguar nga parlamenti ish- kryeministrin Berisha. Nuk do të ketë asnjë ligj që penalizon ish- sekretarët e partive apo të shpallurit “non grata” nga SHBA.

“Çështja e shpalljes “non grata” nuk është bërë çështje e ligjit të dekriminalizimit, për faktin e thjeshtë se është diçka publike dhe qyettarët kanë të drejtë, në kuadër të të gjithë vleresimeve që bëjnë, për ata që zgjedhin ti përfaqësojnë, ta marrin parasysh edhe këtë lloj vlerësimi që shkon përtej vendit tonë”- u shpreh Felaj.

Megjithatë, nënkryetarja e Parlamentit është e qartë se PS nuk ka për të patur asnjë bashkëpunim me Sali Berishën, apo grupin e përfaqësuar prej tij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›