Nga lufta kundër krimit dhe terrorizmit te dronët, takim i ekspertëve të FBI-së me përfaqësues të institucioneve të sigurisë në Tiranë

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Tirana është bërë këto ditë qendra e një takimi të rëndësishëm të drejtuesve dhe ekspertëve të sigurisë nga SHBA-ja dhe Europa.
Nga data 19 deri më 23 shtator, në kryeqytet po zhvillohet takimi i 42-të i kapitullit europian të FBI National Academy Associates (FBINAA).
Sipas agjendës së takimit në program janë përfshirë tema që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, ekstremizmit online, dronët, krimi kibernetik, paratë e krimit, sekuestrimi i pasurive, narkotikët dhe ekstradimet.
Në aktivitet marrin pjesë drejtues të Policisë së Shtetit, SPAK-ut, BKH-së dhe Prokurorisë, ndërsa nga SHBA-ja është parashikuar pjesëmarrja e Spencer Horn, zëvendësndihmësdrejtorit në FBI, si dhe e atasheut të FBI-së në Sofje, Brendan Collins.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe përvoja e Budapest Organized Crime Task Force, që shënon 25 vite bashkëpunim është në fokus të takimit. Po ashtu edhe modeli amerikan i Joint Terrorism Task Force, që bashkon agjenci të ndryshme për hetimin e kërcënimeve terroriste.
Një nga temat më të veçanta është grupimi online “764”, i lidhur nga autoritetet amerikane me forma të ekstremizmit të dhunshëm dhe aktivitete kriminale në internet, e cila prezantohet nga një zyrtar i FBI-së nga Berlini.
Më pas do të diskutohet edhe për format e reja të ekstremizmit të dhunshëm dhe përvojën e Shqipërisë në përballimin e tyre.
Në konferencë i kushtohet një pjesë e posaçme edhe dronëve, ku ekspertë të FBI Laboratory Division do të prezantojnë teknologjitë që përdoren për ekzaminimin dhe analizimin e dronëve.
Po ashtu diskutimet fokusohen te krimi kibernetik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kundër grupeve kriminale, ndjekjen e parave të krimit, si dhe rolin e inteligjencës financiare në luftën kundër krimit të organizuar. Në konferencë do të diskutohet edhe mbi mënyrën se si pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të përdoren për qëllime publike.
Në këtë drejtim hetuesi i BKH-së Eduart Kaloshi do të prezantojë një rast konkret të hetuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në fushën e narkotikëve.
Në ditën e fundit, fokusi kalon te ekstradimet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, ku do të diskutohen procedurat shqiptare, problemet që hasen në praktikë dhe mënyrat e bashkëpunimit me vendet e tjera. /euronews.al/