Vrasja në Sarandë, Hita kërkon hetime të thelluara dhe goditje ndaj grupeve kriminale

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita zhvilloi një analizë me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur paraditen e sotme, ku një 44-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri dhe një 73-vjeçar, kalimtar i rastit, u plagos.
Gjatë analizës, Hita kërkoi hetime të shpejta dhe të thelluara për zbardhjen e ngjarjes, si dhe një skanim të plotë të situatës operative në zonën e Sarandës dhe Delvinës.
Ai kërkoi evidentimin e konflikteve, nga më të mprehtat deri te ato me intensitet më të ulët, identifikimin e personave me precedentë penalë dhe evidentimin e kontingjentit kriminal që vepron në zonë, përfshirë edhe persona që lëvizin në mënyrë të përkohshme në territor.
“Rezultate konkrete për dokumentimin e ngjarjes së rëndë kriminale të ndodhur sot, por edhe për ngjarje të kaluara”, ishte kërkesa e Drejtorit të Përgjithshëm ndaj strukturave të Policisë.
“Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara”, u shpreh Hita.
Ai theksoi se prioritet do të jetë goditja e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme.
Hita bëri të ditur gjithashtu se strukturat e Policisë së Sarandës do të mbështeten me burime njerëzore dhe logjistike, përfshirë krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe luftën kundër krimit të organizuar.
“E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale”, u shpreh ai.
Në lidhje me vrasjen e ndodhur sot, Policia po kryen kontrolle edhe nëpërmjet dronëve në territore të ndryshme të Sarandës dhe Delvinës.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për administrimin dhe dokumentimin e çdo prove që mund t’i shërbejë hetimit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.
/gj.m/r.e/