E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga mrekullia shqiptare tek ajo irlandeze

25-04-2012 / Nga Ilirian Dahri

Në këto vite opozita shqiptare ka bërë gjithçka të mundur dhe të pamundur për të njollosur punën e qeverisë shqiptare. Natyrisht vetë kryeministri i vendit Sali Berisha ka qenë përherë i gatshëm për t’i dhënë përgjigjen e duhur nëpërmjet deklaratave të tij por mbi të gjitha kjo qeveri është përpjekur që të përgjigjet me punë. Dhe nuk kanë munguar nga organizatat e ndryshme dhe kryeministrat europianë fjalët e mira për qeverinë shqiptare, të cilët shpeshherë kanë përgëzuar kryeministrin shqiptare. Ekonomia shqiptare që nuk u prek nga kriza globale e cila u ndje më tepër në vendet e Bashkimit Europian dhe sidomos në vendet fqinje të Shqipërisë. Vetë vendet europiane kanë dashur dhe kanë inkurajuar që nga vende të ndryshme të Europës të vinin lajme të mira në një kohë kur kriza e debisë sovrane kishte kapur pjesën më të madhe të vendeve europiane. Është folur për një mrekulli shqiptare si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Kanë folur analistët më të mirë europianë dhe ata vendas. Janë të njëjtët analistë të huaj të cilët tashmë në panoramën europiane po thonë fjalë të mira për vende të tjera të Europës. Një ndër këto shtete është padyshim Irlanda e cila ka shpëtuar sakaq nga kriza pas ndërhyrjes të Bashkimit Europian që ka vënë në dispozicion një plan shpëtimi prej 85 miliardësh euro, të financuar këto nëpërmjet fondit të shpëtimit. Kjo ndodhi një vit më parë, dhe kanë filluar ndërkaq të shihen rezultatet e para. Rezultate akoma dhe më të mira sesa ato që priteshin. Sidoqoftë rruga drejt daljes nga kriza është ende e vështirë por ndërkaq ka nga ata analistë të ekonomisë që flasin për “mrekullinë Irlandeze”. Një gjë është e vërtetë: Irlanda ka  shënuar rezultate të mira madje sipas të dhëna të vetë Eurostat-it mbi vendet e rrezikuara flitet me një lloj optimizmi për këtë vend. Në vitin e kaluar Spanja ka regjistruar një raport borxh / Gdp me 8,5%, kundër 9,3% të 2010, ndërsa Greqia me një borxh që ka zbritur nga 10,3 në 9,1%, ndërsa Irlanda nga 31,2% në 13,1% . Një rezultat thuajse i paarritshëm që konfirmon në të njëjtën kohë se Dublini është në vendin e parë të klasifikimit të vendeve të Eurozonës. Vendi më i mirë nga ato që janë asistuar prej Bashkimit Europian. Kush janë sekretet? Pas krizës, në Irlandë mbetën vetëm  dy banka, Banka e Irlandës dhe Allied Irish ndërsa të tjerat kishin falimentuar ose po shkonin drejt rrënimit përfundimtar. Tashmë dy institutet kanë filluar të garantojnë kreditë duke favorizuar rritjen ekonomike dhe rritjen e Gdp. Ndërkaq Irlanda ka konfirmuar politikën e saj fiskale duke tërhequr emrat e mëdhenj si Twitter, Goolge, Intel etj. Nga ana tjetër  irlandezët kanë gjetur një zgjidhje origjinale që ka përfshirë bankat e saj përgjatë krizës financiare dhe që ka sjellë fshirjen e borxhit për 32 miliardë euro. Sipas të dhënave, Irlanda është ndër vendet që në 2011, sipas Eurostatit, renditet pas Gjermanisë me +13,1 miliardë në muajin janar 2012, dhe Holandës me +4,2miliardë ndërsa Irlanda me +3,2 miliardë. Në trimestrin e parë të vitit të kaluar eksportet e Irlandës kanë shënuar një +3,1% për t’u ulur në të dytin me +1%. Si kuriozitet në krye të eksporteve është mishi (sidomos ai i kalit) shumë i kërkuar nga tregjet e Bashkimit Europian. Jemi me të vërtetë afër mrekullisë irlandeze? Në vitin 2011, raporti deficit/Gdp ishte më i larti i regjistruar në Europë  me 13,1%, i ndjekur nga vendi fqinj i Greqisë me 9,1%, Spanja 8,5%. Irlanda ndërkaq është mes 14 vendeve që kanë një nivel borxhi superior shifrës 60%, bashkë me Italinë dhe Greqinë. Por ndryshe nga dy vendet fqinje, sipas të dhënave Irlanda duket në gjëndje për të respektuar angazhimet e marra me Europën për shpëtimin dhe kërkohet të arrihet në vitin 2012, një defiçit afër 8,6% të Gdp. Në fakt që në janar të këtij viti ministri i finacave të Dublinit, Mikael Noonan, kishte nënvizuar se Gdp mund të rritej jashtëzakonisht shpejt dhe të rritej për vitin që vjen me 4-6%. Krahasuar me vitin 2009 kur ishte -7% duket si një rezultat i pakrahasueshëm. Bankat e Irlandës morën  ndihma nga qeveria dhe e njëjta gjë u bë edhe me Greqinë dhe Portugalinë. Edhe presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Mario Monti gjatë një vizite të tij ishte shprehur se “Irlanda është një dëshmi e asaj që ne kërkojmë nga italianët” duke vazhduar më tej se: “masat e konsolidimit të bilancit, mund të jenë të vështira për një kohë të shkurtër por më vonë do të sjellin rritje ekonomike”. Sidoqoftë vështirësitë në muajin mars të këtij viti kanë qenë të shumta për Irlandën madje qeveria e Dublinit kishte deklaruar se vendi nuk do të arrinte një marrëveshje me Bankën Qëndrore Europiane për pagesat e borxhit për të shpëtuar bankat e falimentuara. Duket sikur ka kaluar shumë kohë sepse Irlanda është nga të paktat vende prej të cilave vijnë rezultate pozitive.
 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›