E vërteta e përjashtimit tim nga procesi
Manjola Xhaxho
Nga shkrimi me titull: Ankesë për diskriminim, përjashtohet gjyqtarja, date 22 prill 2012, krijohet përshtypja se Gjyqtarja Manjola Xhaxho diskriminon qytetarin dhe për këtë shkak përjashtohet nga gjykim i çështjes së tij. Ky fakt nuk i përgjigjet të vërtetës dhe as asaj që shkruhet në vendimin gjyqësor.
Theksoj se sipas shkrimit rezulton se shtetasi Matt Hito ka ngritur pretendimet për përjashtimin e Gjyqtares Manjola Xhaxho nga gjykimi i çështjes së tij për tre arsye që janë së pari: gjyqtarja që në seancën e parë është treguar e paangazhuar për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor edhe pse, ka rënë në dijeni të fakti se, kërkuesi është i moshuar, i sëmurë dhe jeton jashtë shtetit; së dyti: gjyqtarja për dy seanca rresht nuk ka marrë mundimin të njoftojë prokurorin dhe ka filluar seancat me 20 minuta vonesë; së treti: nisur nga sa më sipër gjykata nuk tregon respekt për shtetasit e saj, i diskriminon ata dhe mendon se, kërkuesi është njeri pa vlerë.
Për pasojë kërkuesi mendon se, unë nuk mund ti garantoj një proces të rregullt ligjor dhe nuk ka besim se, do të jetë e paanshme. Dua të theksoj se ne vendimin e përjashtimit të gjyqtarit, në asnjë moment nuk shkruhet apo pranohet si dhe të rezultojë nga provat se gjyqtarja Manjola Xhaxho që në seancën e parë të jetë treguar e paangazhuar për mbarëvajtjen e procesit gjyqësor, pasi rezulton se në seancën e parë ka qenë sekretaria që nuk ka kryer njoftimin.
Madje seanca vijuese është lënë për gjykim pas tre ditësh nga data 07.02.2012 për në datën 10.02.2012, fakt ky që tregon angazhimin e gjyqtares për të gjykuar në një kohë të shpejtë çështjen. Në seancën e radhës nuk është paraqitur prokurori edhe pse është njoftuar. Dua të theksoj se asnjë nga seancat e mësipërme gjyqësore nuk është zhvilluar me 20 minuta vonesë dhe ky fakt rezulton po të shihet dosja gjyqësore ku vërehet se vetëm në seancën e datës 10.02.2012 Gjykata ka pritur 10 minuta fillimin e gjykimit. Por edhe pse u prit, Prokurori nuk u paraqitur në këtë seancë gjyqësore dhe për pasojë gjykimi është shtyrë.
Në lidhje me pretendimin se gjykata nuk tregon respekt për shtetasit e saj, i diskriminon ata dhe mendon se, kërkuesi është njeri pa vlerë, në vendimin gjyqësor për përjashtimin e gjyqtares rezulton se nuk ka ndonjë fakt që të provojë këtë pretendim dhe madje nuk është pranuar që të jetë ky shkaku për përjashtimin. Manjola Xhaxho ka zhvilluar gjykimin në tre seanca ku në të fundit kërkuesi ka kërkuar me shkrim përjashtimin e saj dhe shtrirja kohore në këto tre seancat gjyqësore ka qenë 13 ditore që tregon angazhimin e saj për një gjykim të shpejtë të çështjes.
Ajo që del qartë nga vendimi gjyqësor për përjashtimin e gjyqtares Manjola Xhaxho është se kërkesa për përjashtimin e saj është pranuar pasi kërkuesit i është krijuar besimi se nuk do i garantohet një proces i rregullt ligjor. Pra, kërkuesi nuk ka dashur të gjykohet nga gjyqtarja dhe është thjesht çështje e besimit të tij të pabazuar absolutisht në shkaqe objektive, pasi në asnjë moment gjyqtarja nuk ka diskriminuar qytetarin për asnjë nga shkaqet që ai pretendon, madje e përsëris se ka respektuar rregullat procedurale penale.