Nga ndërtimi te blegtoria, historia e Aleksandër Kalemit nga Arshi Lengo

Aleksandër Kalemi nga fshati Arshi Lengo ka lënë pas profesionin e ndërtuesit për t’iu përkushtuar plotësisht blegtorisë.
Me një përkushtim të veçantë për të imëtat, ai tregon se vendimi për të ndryshuar zanat nuk ka qenë i lehtë, por i menduar mirë.
“Kam 140 kokë dhen. Punoja në ndërtim. Vajta dy vjet dhe më la plaku. Amaneti i babait ishte ‘nuk do dalësh keq’. Unë i mbajta. Vëllezërit e tjerë nuk i mbajtën. U kam siguruar bar, jonxhë e tagji. U hedh 5 milionë lekë në vit,” thotë blegtori.
Aktualisht, Aleksandri kujdeset i vetëm për rreth 140 krerë të imëta. Përkundër vështirësive, ai nuk e ka humbur dëshirën për ta zhvilluar më tej fermën e tij dhe t’i japë jetë blegtorisë në zonë. Mbështetja me subvencione këtë vit i ka ardhur në ndihmë dhe i ka dhënë një shtysë të re aktivitetit të tij.
“Erdhën këta të Bujqësisë, më vunë kushte dhe i bëra. Kam vënë 120 kokë me 12 mijë lekë koka. 20 kokë i mbaj për të shitur, për të therur. Nuk i vura këto 20 kokë,” tregon ai.
Me shembullin e tij, Aleksandër Kalemi dëshmon se në zonat rurale, me vullnet dhe përkushtim, blegtoria mund të jetë një mundësi reale për zhvillim dhe mirëqenie.
Gazetare: Leonida Koçiu
/rtsh.al/