Merkel dhe Merz: Evropa në sfidë të madhe. Thirrje për bashkim dhe paralajmërime për rrezikun rus ndaj paqes dhe stabilitetit

Ish-kancelaria gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje për më shumë unitet brenda Bashkimit Evropian përballë sfidave të mëdha si luftërat, krizat globale dhe politikat proteksioniste të ish-presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa kërkoi reformimin e traktatit themelor të BE-së.
Në një simpozium të mbajtur nga Fondacioni Konrad Adenauer, Merkel u shpreh se në këtë situatë gjeopolitike të ndërlikuar, ku përfshihet Rusia, Kina dhe një Amerikë gjithnjë e më pak e qëndrueshme në aleancë, asnjë vend evropian nuk mund të përballet i vetëm.
Ajo tha se edhe Gjermania, si fuqia më e madhe ekonomike e BE-së, është e pambrojtur pa mbështetjen e të tjerëve dhe shtoi se “Evropa është sot më e rëndësishme se kurrë”. Merkel kritikoi reagimet me vonesë në kriza të Traktatit të Lisbonës.
Ndërkohë, kancelari aktual i Gjermanisë, Friedrich Merz, paralajmëroi se Europë nuk duhet t’i lejojë Rusisë të diktojë kushtet e një paqeje në Ukrainë, pasi kjo do ta inkurajonte presidentin rus Vladimir Putin të vazhdojë agresionin. Në një fjalim para Bundestagut, Merz tha se Putin po teston kufijtë prej kohësh dhe se veprimet e tij përfshijnë sabotime, spiunazh dhe përpjekje për të destabilizuar vendet e NATO-s.
Ai përmendi rastin e fundit në Poloni, ku një dron rus u rrëzua në territorin polak, si një shembull i rrezikut të vazhdueshëm. “Ne nuk do ta lejojmë këtë,” tha Merz, duke shtuar se Gjermania po shton kapacitetet mbrojtëse për t’i bërë ballë çdo kërcënimi. Ai theksoi se qëllimi i Berlinit është të ndalojë agresorët dhe njëkohësisht të forcojë lidhjet me aleatët.
Gjermania është kthyer në vendin që jep më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke kaluar edhe Shtetet e Bashkuara, sipas ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius. Deklaratat e Merkel dhe Merz vijnë në një kohë të ndjeshme për BE-në, ndërsa përgatitjet për zgjerim dhe reforma janë kthyer në tema kyçe në agjendën evropiane.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/