Nga shkarkimi i Erion Veliajt, deri në ankimimin në Gjykatën Kushtetuese

Me votat e këshilltarëve socialistë dhe demokratë, Këshilli Bashkiak i dha fund mandatit të Erion Veliajt, i cili qëndronte në paraburgim prej 10 shkurtit 2025. Pas këtij vendimi doli edhe vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, së bashku me dekretin presidencial për zgjedhjet në Tiranë, të cilat Veliaj i ankimoi në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilli Bashkiak i Tiranës votoi me 50 vota pro për të shkarkuar nga detyra kryebashkiakun Erion Veliaj. Vendimi, i cili u bë i mundur falë bashkimit të votave të këshilltarëve socialistë dhe demokratë, shërbeu si një propozim zyrtar bazuar në mosparaqitjen e kryebashkiakut në detyrë për më shumë se tre muaj.
Kronologjia politike u përshpejtua pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS (11 shtator 2025) për të nisur procedurat e shkarkimit, duke prezantuar njëkohësisht Ogerta Manastirliun si kandidate. Vetëm 14 ditë më vonë, më 25 shtator 2025, Këshilli i Ministrave mori vendimin përfundimtar për certifikimin e shkarkimit. Ky vendim zyrtarizoi vakancën e postit, duke çuar në dekretin e Presidentit Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Tiranë.
Pas shkarkimit, Veliaj zgjodhi rrugën ligjore përfundimtare: ankimimin në Gjykatën Kushtetuese (29 shtator 2025). Ai kërkoi shfuqizimin si të vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin, ashtu edhe të dekretit të Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve, duke i cilësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe shkarkimin e tij të paligjshëm.
Kronologjia e shkarkimit
Zhvillimet politike që çuan në shkarkimin zyrtar të Erion Veliajt ishin jashtëzakonisht të shpejta, duke u finalizuar vetëm 14 ditë pas kërkesës publike të Kryeministrit.
Më poshtë, hapat kryesorë
- 11 shtator 2025- Kërkesa e Ramës në Asamblenë e PS, Kryeministri Edi Rama i kërkon Këshillit Bashkiak të nisë procedurat e shkarkimit. Prezantohet Ogerta Manastirliu si kandidate e re.
- 17 shtator 2025- Mbledhja e socialistëve, këshilltarët socialistë mblidhen për të diskutuar nisjen e procedurës. Motivacioni ligjor: Aktivizimi i nenit 62 (mosparaqitja në detyrë për 3 muaj).
- 23 shtator 2025- Votimi në Këshillin Bashkiak të Tiranës shkarkon Erion Veliajn me 50 vota pro. Kryebashkiaku nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhje.
- 24 shtator 2025- Prefekti i Tiranës i dërgon Qeverisë propozimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin.
- 25 shtator 2025- Këshilli i Ministrave shkarkon përfundimisht nga detyra Erion Veliajn. Vendimi certifikon vendimin e Këshillit Bashkiak.
- 29 shtator 2025- Veliaj ankimon në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë, duke e cilësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën.
- 30 shtator 2025 Qeveria njofton zyrtarisht Presidencën për vakancën e postit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, duke i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve të reja.
/rtsh.al/