Nga sulmet hibride te kërcënimet e Moskës, tensionet Gjermani-Rusi hyjnë në një fazë kritike me përfshirjen e NATO-s dhe BE-së

Tensioni diplomatik dhe i sigurisë midis Berlinit dhe Moskës është përshkallëzuar në një konflikt të hapur, pasi autoritetet gjermane konfirmuan ekzistencën e provave që lidhin inteligjencën ruse me tentativat për sulme me dronë të mbushur me eksploziv në aeroportin e Leipzigut.
Si përgjigje ndaj këtyre veprimeve, qeveria e Kancelarit Friedrich Merz ka njoftuar një paketë masash hakmarrëse, ku përfshihen mbyllja e Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Bon nga 18 shtatori, ndërprerja e kontratës për Shtëpinë Ruse në Berlin — e cila konsiderohet nga shërbimet e sigurisë si bazë për aktivitete spiunazhi — si dhe rritja e presionit mbi të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë.
Reagimi nga Moska ka qenë i menjëhershëm. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka paralajmëruar përgjigje të ashpra, duke u shprehur:
“Ne do t’u përgjigjemi të gjitha vendimeve anti-ruse të Gjermanisë. Dhe ato do të jenë përgjigje shkatërruese në rast të ‘aventurave të çmendura anti-ruse’ në Baltik.“
Përshkallëzimi i situatës ka nxitur reagime të forta nga krerët e institucioneve ndërkombëtare. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i kanë përcjellë mbështetjen e tyre Kancelarit Merz, duke dënuar fushates e luftës hibride.
Lidhur me përpjekjet e destabilizimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi:
“Përpjekjet ruse për të na frikësuar, për të minuar unitetin dhe gatishmërinë tonë për të mbështetur Ukrainën janë të kota dhe do të dështojnë.“
Solidaritet me Gjermaninë kanë shprehur edhe udhëheqësit italianë, ku Kryeministrja Giorgia Meloni nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së një qëndrimi të palëkundur parandalues për mbrojtjen e sigurisë evropiane.
Hetimet e realizuara në Gjermani lidhen me ngjarjet e gushtit, ku në aeroportin e Leipzigut u zbulua një dron me eksploziv pranë avionëve të mallrave ukrainas, një i dytë u përplas me një avion të kompanisë DHL, ndërsa një i tretë u gjend ditë më vonë në një zonë fqinje. Paralelisht, incidente me mjete të paidentifikuara fluturuese janë raportuar edhe në hapësirën ajrore të Letonisë dhe Estonisë, si dhe raste të dëmtimit të infrastrukturës elektrike në rajonin e Brandenburgut.
Përveç veprimeve fizike të sabotimit, autoritetet gjermane kanë ngritur shqetësimin për fushata intensive dezinformimi përpara zgjedhjeve të ardhshme rajonale në lindje të vendit. Ndërkohë, në frontin e luftës, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se hapësira ajrore ruse po bëhet plotësisht e pasigurt për shkak të rritjes së përdorimit të dronëve si përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse.
/rtsh.al/