E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump: Aleatët e Gjirit u njoftuan përpara sulmeve amerikane mbi Iranin

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se aleatët e Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik u njoftuan përpara raundit të fundit të sulmeve amerikane mbi objektivat iranianë. Kjo u bë e ditur gjatë një interviste me Fox News.

Sipas raportimeve, Trump paralajmëroi gjithashtu Iranin që të mos hakmerret, duke theksuar se portaavionët amerikan USS George Washington “është i mbushur deri në grykë” me municione dhe është gati për çdo skenar.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) konfirmoi se forcat amerikane filluan sulmet mbi objektivat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Iran në orën 12:00 të kohës lindore të SHBA-së (16:00 GMT).

Sulmet erdhën si përgjigje ndaj përpjekjeve të fundit të IRGC për të sulmuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe forcat amerikane të stacionuara në rajon.

Trump, në postimin e tij në Truth Social dhe në bisedën me korrespondentin e Fox News, përshkroi sulmet si “të mëdha dhe të fuqishme”. Ai tha se ato ishin hakmarrje për përpjekjen e dështuar të Iranit për të vendosur mina detare në Ngushticën e Hormuzit (të cilat, sipas tij, janë hequr ose shpërthyer plotësisht) dhe për lëshimin e tetë raketave kundër një baze ushtarake amerikane në Jordan, të cilat u rrëzuan të gjitha.

“Nëse Irani i dështuar hakmerret për këtë sulm të justifikuar, do të goditet përsëri në një nivel shumë më të fortë dhe më të lartë, por kjo nuk do të jetë sulmi më i madh i të gjithëve që pret në krahë. Kur të mbarojë, do të mbetet shumë pak nga Republika Islamike e Iranit,” deklaroi Trump.

Ai shtoi se SHBA-ja u ka dhënë iranianëve shumë shanse dhe se sulmet e sotme goditën sisteme radari dhe objektiva të tjera në pjesën jugperëndimore të vendit, pranë Ngushticës së Hormuzit, ku iranianët po përpiqeshin të rindërtonin sistemet e tyre.

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe ushtria iraniane kanë premtuar se do t’i përgjigjen “agresionit”. Media iraniane raportuan shpërthime në zona si Bandar Abbas, Sirik, Qeshm dhe vende të tjera në jug të vendit.

Ky raund i ri i sulmeve shënon një eskalim të ri në konfliktin e zgjatur mes Uashingtonit dhe Teheranit, i cili ka hyrë tashmë në muajin e shtatë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›