Nga ulja e taksave te emigracioni dhe mbështetja për shqiptaro-amerikanët, kandidati për guvernator i New York, Bruce Blakeman: I mbaj premtimet, prioriteti im është populli!
Kandidati republikan për guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtori i afërt i Donald Trump, Bruce Blakeman, ka folur në një intervistë për News24, ku ka shpalosur qëndrimet e tij për taksat, emigracionin, korrupsionin dhe mbështetjen për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Ai ka kritikuar guvernatoren aktuale Kathy Hochul dhe ka deklaruar se synon të krijojë vende të reja pune, të ulë taksat dhe të garantojë më shumë siguri për qytetarët.
“Unë do të bëj atë që është më e mira për njerëzit e New York-ut. Kathy Hochul është e lidhur me Zohran Mamdanin, një komunist, një antiamerikan, një person që nuk di të drejtojë një qytet të madh”, theksoi ai, ndërsa shtoi më tej duke theksuar se: “i mbaj premtimet. Unë drejtoj një qeveri jo vetëm për partinë, por për të gjithë, republikanë, demokratë etj”.
Sa u përket politikave të emigracionit, kandidati republikan ka mbështetur mundësinë që personat të cilëve u ka skaduar viza, por që janë të punësuar dhe nuk kanë probleme me ligjin, të pajisen me leje pune në SHBA dhe në New York.
Ai u ndal edhe te mbështetja e komunitetit shqiptaro-amerikan ku ka vlerësuar kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës publike dhe ekonomike.
“Shqiptarët janë njerëz që punojnë shumë, duan një jetë të mirë për familjet e tyre, vende më të mira pune, taksa më të ulëta dhe, më e rëndësishmja, siguri në komunitet dhe arsim më të mirë. Ata kanë kontribuar në vendin tonë në shkencë, teknologji, arsim, biznes, mjekësi dhe në fushën e ligjit. Pra, do t’i mbështes shqiptaro-amerikanët”, tha ai.
Pjesë nga intervista:
Bruce Blakeman: Unë do të bëj atë që është më e mira për njerëzit e Nju-Jorkut. Kathy Hochul është e lidhur me Zohran Mamdanin, një komunist, një antiamerikan, një person që nuk di të drejtojë një qytet të madh. Unë do ta mbaj Zohran Mamdanin nën kontroll dhe nuk do të shpenzoj miliona dollarë si guvernator, ashtu siç ka bërë Kathy Hochul, apo duke thënë se do të ofrojë ushqim falas për emigrantët e paligjshëm, shumë më tepër sesa marrin qytetarët e Nju-Jorkut.
Pyetje: Çfarë ju dallon nga Donald Trump? Mund të na jepni një shembull se ku ndryshoni prej tij?
Bruce Blakeman: Së pari, ai është pro jetës, ndërsa unë jam pro zgjedhjes. Sa u përket politikave të emigracionit, unë besoj se njerëzit që e kanë tejkaluar afatin e vizës, që janë të punësuar dhe nuk janë futur në telashe, duhet të marrin një leje për të punuar këtu në SHBA dhe në Nju-Jork.
Pyetje: Pse duhet t’ju votojë ju një qytetar i Nju-Jorkut, që tradicionalisht ka votuar për demokratët?
Bruce Blakeman: Unë jam rizgjedhur si ekzekutiv i kontesë, në një nga kontetë më të mëdha, me mbështetjen e demokratëve, sepse i mbaj premtimet. Unë drejtoj një qeveri jo vetëm për partinë, por për të gjithë, republikanë, demokratë etj. Çdo ditë, demokratë vijnë tek unë dhe thonë se nuk kanë votuar kurrë më parë për republikanët, por besojnë tek unë, sepse ndajmë të njëjtat vlera. Unë krijoj prosperitet dhe e mbaj vendin të sigurt. Këto janë arsyet pse duan të më votojnë, sepse Kathy Hochul e ka dëmtuar komunitetin.
Pyetje: Cili është dështimi më i madh i Kathy Hochul?
Bruce Blakeman: Sërish, taksat e larta dhe faturat, të cilat i ka rritur në atë masë sa qytetarët nuk mund t’i përballojnë. Ka rritur çmimin e energjisë. Pensilvania i ka faturat sa Gjysma e Nju-Jorkut dhe atje ka një senator demokrat. Ai i kupton politikat për energjinë, Kathy Hochul jo.
Pyetje: Kathy Hochul është përballur me akuza për korrupsion, abuzim me fondet etj. Nëse flasim për rregulla, cilat janë rregullat bazë që ju do të vendosnit për të luftuar këto fenomene?
Bruce Blakeman: Mendoj se kemi mjaftueshëm rregulla, por ato duhet të zbatohen dhe të ndiqen. Zyrtarët tanë do të jenë në zyrë për njerëzit, jo për të mbushur xhepat e tyre. Unë kam qenë në qeverisje për 30 vjet dhe nuk kam pasur kurrë çështje të tilla korrupsioni, sepse i vendos njerëzit si prioritet. Nuk jam këtu për të fituar para, por dua që qytetarët e Nju-Jorkut të fitojnë sa më shumë.
Pyetje: Ju mbështesni ligjet federale të emigracionit. Çfarë garancish konkrete do të ofronit për emigrantët me status të ligjshëm?
Bruce Blakeman: Duke krijuar vende të reja pune me përfitime, në mënyrë që fëmijët dhe nipërit e tyre të kenë një të ardhme këtu në Nju-Jork. Të kenë një të ardhme, jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të kenë luksin ta shijojnë jetën. T’i çojnë fëmijët me pushime. Jeta është bërë e vështirë në Nju-Jork për shkak të Kathy Hochul, sepse kemi taksa të larta dhe vendet e punës po largohen nga vendi ynë. Janë vetëm 50 shtete. Unë do të krijoj vende pune dhe një të ardhme më të mirë për ta.
Pyetje: Nëse zgjidheni guvernator, çfarë do të bëni konkretisht për të mbështetur bizneset e shqiptaro-amerikanëve, për të luftuar diskriminimin dhe për të krijuar mundësi më të mira për familjet e tyre?
Bruce Blakeman: Kam shumë miq shqiptaro-amerikanë. Kam miq këtu dhe kam miq në Shqipëri. Shqiptarët janë njerëz që punojnë shumë, duan një jetë të mirë për familjet e tyre, vende më të mira pune, taksa më të ulëta dhe, më e rëndësishmja, siguri në komunitet dhe arsim më të mirë.
Ata kanë kontribuar në vendin tonë në shkencë, teknologji, arsim, biznes, mjekësi dhe në fushën e ligjit. Pra, do t’i mbështes shqiptaro-amerikanët, pasi janë emigrantë që punojnë shumë çdo ditë për të bërë një jetë më të mirë për familjet e tyre. Dua një jetë më të mirë për fëmijët e tyre dhe shqiptarët janë familjarë, kujdesen për familjet e tyre. Dua që ta dinë se do të kenë një guvernator që kujdeset për familjet e tyre.