“Nuk je as në nivelin e Vuçiçit”- Deputeti i PD-së reagon për zgjedhjet në Serbi dhe sulmon Ramën: Shqipëria nuk ka nevojë për një Gadaf të ri
Deputeti i PD-së Klevis Balliu ka reaguar për humbjet në zgjedhjet parlamentare serbe të ish-presidentit Aleksandar Vuçiç.

Balliu pretendon se dobësimi politik i ish-presidentit serb Aleksandër Vuçiç prek edhe mbështetjen rajonale të Ramës. Sipas tij, ndërsa studentët serbë protestojnë kundër korrupsionit dhe kapjes së institucioneve, studentët shqiptarë përballen me dhunën policore.
Deputeti demokrat akuzon gjithashtu kryeministrin se refuzon të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe e paralajmëron se përballë tij qëndrojnë dy alternativa: largimi përmes votës së lirë ose thellimi i përplasjes me qytetarët.
Në përfundim të reagimit, Balliu përdor tone të ashpra ndaj kreut të qeverisë, duke deklaruar se Shqipëria ka nevojë për liri, demokraci dhe zgjedhje të vërteta, e jo për një “Gadaf të ri”.
Reagimi i Klevis Balliut:
AS NË NIVELIN E KRIMINELIT VUÇIÇ NUK JE, EDI RAMA!
Rënia e Vuçiçit shënon njëkohësisht edhe rënien e njërës prej shtyllave të rëndësishme të mbështetjes ndërkombëtare të Edi Ramës. Për vite me radhë, Vuçiçi ka qenë një aleat i rëndësishëm i Ramës në rajon dhe dobësimi i tij politik prek edhe ekuilibrat që i kanë shërbyer kryeministrit shqiptar.
Studentët serbë, përmes protestave disamujore, sfiduan një pushtet të akuzuar për korrupsion dhe kapje të institucioneve. Ndërsa në Serbi kërkohet një zgjidhje politike, Edi Rama u përgjigjet studentëve shqiptarë me dhunë policore.
Aleksandër Vuçiçi, me të kaluarën e tij të lidhur me regjimin e Millosheviçit dhe nacionalizmin antishqiptar, po përballet me presionin për ndryshim, ndërsa Rama nuk pranon as të hapë rrugën për zgjedhje të lira.
Ky është dallimi që tregon thellësinë e krizës në Shqipëri. Në vend që të dëgjojë rininë, Rama zgjedh represionin për të mbrojtur pushtetin e tij.
Edi Rama ka dy rrugë: të largohet përmes votës së lirë ose të vazhdojë përplasjen me qytetarët, duke e thelluar krizën politike.
Rama mund të zgjedhë rrugën e Vuçiçit dhe të përballet me drejtësinë për çdo shkelje të provuar, ose të vazhdojë rrugën e përplasjes me popullin. Shqipëria nuk ka nevojë për një Gadaf të ri, por për liri, demokraci dhe zgjedhje të vërteta!