E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga vrasja e Xhuvanit, te djegia e Tiranës/ Kush është Artan Hysenaj, roja i Gaz Bardhit, që dhunoi policët

Në protestat e zhvilluara prej ditësh në kryeqytet, mes personave që dyshohet se kanë shkaktuar akte dhune, identifikohen edhe individë me precedentë penalë.

Një prej tyre u identifikua nga kryeministri me inicialet A.B. 40-vjeçari nga Tropoja është denoncuar edhe nga kryeministri Edi Rama në konferencën e mbajtur për personat e inkriminuar, pjesë e grupit të zjarrit, që sulmoi dhunshëm policinë të shtunën e kaluar dhe që më pas dogji bizneset e sulmoi bankat në Tiranë.

ABC News ka mësuar identitetin e tij të plotë. Ai quhet Artan Hysenaj dhe është pjesë e grupit të personave të maskuar që kanë hedhur ,molotov në drejtim të institucioneve shtetërore, bizneseve private dhe forcave të policisë.

Artan Hysenaj rezulton i arrestuar për marrje pjesë në tubime të paligjshme, por gjithashtu edhe për dhunë ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë protestave të mëparshme të opozitës.

Por historiku i raporteve të tij me dhunën shkon më thellë se kaq.

Artan Hysenaj ka qenë pjesë e grupit shoqërues të Gazment Bardhit në Elbasan, në ngjarjet e rënda të ndodhura katër ditë para zgjedhjeve, kur mbeti i vrarë komisioneri socialist Pjerin Xhuvani. Përleshja ishte e armatosur dhe në të ishte i përfshirë edhe Hysenaj.

Por Artan Hysenaj, një person i cilësuar si kontingjent nga policia, gëzon mbështetje direkte politike nga Sali Berisha. Siç shihet në këtë foto të siguruar nga ABC News, ai shfaqet komod në zyrën e kryetarit të PD-së.

Hysenaj, i cili u la në gjendje të lirë nga gjykata pas dhunës të së shtunës me siguri do të shfaqet edhe këtë të shtunë në protestë.

Po kësaj radhe pa maska dhe i identifikuar nga Policia. Dhe tashmë nën mbrojtjen zyrtare të Partisë Demokratike./ abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›