E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngacmonin femrat, pezullohen nga detyra dy policët

Reagojnë policët: Ngjarja është e sajuar, e vërteta do të dalë
Policia-e-Shtetit
Dy efektivët e policisë Pjerin Vocaj dhe Julian Malaj që tre ditë më parë u akuzuan se ngacmonin femrat në rrugë në gjendje të dehur u pezulluan dje nga kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj. Vendimi u deklarua gjatë një deklarate për mediat ku u sqarua se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj vendosi përjashtimin e dy oficerëve të policisë, që akuzohen për ngacmimin e femrave gjatë kontrollit rutinë në rrugët e kryeqytetit.
Deklarata
Lidhur me ngjarjen e datës 05.07.2013, në Tiranë, ku dy punonjës të policisë u konstatuan nga patrulla e policisë se po kryenin veprime të pahijshme me qytetarët, të cilët gjatë shoqërimit kanë fyer dhe kundërshtuar punonjësit e patrullës së policisë. Pezullimi nga detyra për dy efektivët e policisë u krye bazuar ne Ligjin Nr. 9749 date 04.06.2007 ” Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Disiplinës së Policisë së Shtetit, ka vendosur përjashtimin nga Policia e Shtetit “Për kryerje të veprimeve te pahijshme” dhe “Shkelje të Kodit të Etikes të punonjësit të policisë”, të dy oficerëve të policisë: Komisar Pjerin Voci dhe Komisar Julian Malaj.- thuhet në njoftimin policisë.
Pretendimet
Por menjëherë pas vendimit nga kreu i Policisë të dy efektivët e policisë e kanë cilësuar ngjarjen për të cilën ata u arrestuan të sajuar. Julian Malaj, ka pohuar se e vërteta do të dalë në dritë pas të gjitha hetimeve që do të bëhen. Efektivi i policisë është indinjuar shumë pas lajmit të publikuar në media, ndërkohë që i ka quajtur veprime arbitrare dhe tendencioze ato të patrullës së përgjithshme të policisë. E kanë sajuar ngjarjen. Ne kemi qenë në makinë bashkë me kolegun kur kanë ardhur për të na arrestuar. Nuk kemi qenë të dehur dhe as femra nuk kemi ngacmuar, ka deklaruar efektivi i policisë. Ndërkohë ai hedh akuza mbi efektivët e policisë së patrullës së përgjithshme duke i cilësuar veprimet e tyre si tendencioze. Sipas efektivit të policisë, patrulla e policisë i ka ndaluar në rrugë dy kolegët dhe u ka thënë që të shkojnë me ata, pa ju dhënë asnjë lloj motivi. Hetimet do të vërtetojnë se si qëndron e vërteta. Çdo gjë është sajuar. Ne nuk mund të themi më shumë se kaq, ka pohuar efektivi Julian Malaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›