Studentja në depresion hidhet nga dritarja e Komisariatit
Kukës/Ishte larguar disa ditë me të dashurin ndërsa familjarët të shqetësuar e kishin denoncuar ngjarjen si rrëmbim në komisariatin e Kukësit. Studentja e vitit të dytë me inicialet A.C., dega Infermieri në Universitetin e Kukësit, është hedhur ditën e djeshme nga kati i tretë i komisariatit, pasi policia po e merrte në pyetje për humbjen e saj për tre ditë rresht dhe denoncimit që kishte bërë i ati në polici. Duke qenë nën presionin e të qënit në komisariat por edhe për arsye depresioni që vajza duket se i ka pasur edhe më parë, ajo ka zgjedhur të hidhet nga dritarja e komisariatit e të mos i përgjigjet pyetjeve të efektivëve të policisë. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në katin e tretë të zyrave të drejtorisë së policisë. Pas hedhjes nga dritarja studentja 20 vjeçare, ka shpëtuar për mrekulli dhe po kurohet në spitalin rajonal, ndërkohë që u pezulluan deri në fund të hetimeve dy oficerët gjyqësor që po e merrnin në pyetje në prani të psikologes dhe dajës së vetë studentes. Policia e Kukësit konfirmoi incidentin e ndodhur, duke thënë se studentja e Infermierisë ka kryer aktin në gjendje depresive, duke iu afruar dritareve të zyrës.
Denoncimi
Policia ka bërë të ditur se 20-vjeçarja me inicialet A. C., nga Tropoja, ishte denoncuar e humbur nga babai i saj prej të dielës. Prindërit dyshonin se ishte rrëmbyer, pasi vajza nuk u përgjigjej në telefon dhe nuk gjendej as në konvikt. Policia është vënë e gjitha në lëvizje dhe ka gjetur paraditen e së hënës 20-vjeçaren në qytetin e Kukësit. Menjëherë e ka shoqëruar në komisariat për ti marrë shpjegime për lëvizjet e saj dhe nëse ishte kanosur, rrëmbyer apo shantazhuar nga dikush. Gjatë marrjes në pyetje nga dy efektivët e policisë dhe në prani të një psikologeje dhe dajës së saj, 20-vjeçarja në momentet e depresionit, pasi ka pranuar se ishte larguar me një djalë, është hedhur nga dritarja e zyrës, e cila ndodhet në katin e tretë të Komisariatit të Kukësit, thanë burime të policisë vendore.
Hetimet
Sipas grupit hetimor, vajza ka mohuar të ishte rrëmbyer, por duket se e trembur edhe nga reagimi i familjes për lidhjen që kishte, ka përjetuar momente depresive. Vajza është dërguar menjëherë në spitalin rajonal dhe mësohet se gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që ndaj dy efektivëve të cilët e morën në pyetje është marrë masa e pezullimit, deri në sqarimin e incidentit. Sipas hetimeve të para, prezent ka qenë psikologja e policisë dhe i afërmi i studentes, që konfirmojnë faktin se ndaj saj nuk ka pasur presion në hetime. Gjithsesi verifikimet e mëtejshme do të zbardhin plotësisht këtë incident. Teksa në pyetje pritet të merret edhe djali me të cilin ka njohje vajza.