E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngecin investimet, në 7 muaj nuk kalojnë 33%

Buxheti i vitit 2008 ishte i “fryrë” përsa i përket investimeve, por në 7 muaj, janë realizuar vetëm 33%

Financat bëjnë të ditur se në 7 muaj, janë investuar 33.74 miliardë lekë, nga 1.2 miliardë USD të programuara nga qeveria për vitin 2008

Historia e mosrealizimit të investimeve gjatë vitit 2007 që detyroi qeverinë të rialokonte 200 milionë dollarë në muajin Dhjetor të vitit të kaluar duket se do të përsëritet edhe gjatë këtij viti. Duke hequr optimizmin e qeverisë dhe referuar shifrave të dhëna nga ana e Ministrisë së Financave, investimet e realizuara në 7 muaj, janë 37.74 milionë lekë, ose vetëm 33% e investimeve vjetore. Situata duket më optimiste se në vitin 2007, por vetëm përsa i përket shifrave në përqindje. Gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2007 ishin realizuar vetëm 20.08% të investimeve vjetore ose në vlerë 16.49 milionë lekë. Gjatë këtij viti investimet shkojnë në rreth 33 për qind realizim për 7-mujorin ose 37.74 miliardë lekë.

Lojë shifrash

Nëse i referohesh planit të vendosur nga qeveria për realizimin e investimeve të bën përshtypje fakti se si 7-mujor, gjërat duken në vijë. Kështu, megjithëse realizimi është 33 për qind e investimit vjetor, si 7-mujor vlerësohet se është arritur plani ose është afruar deri në 85 për qind. E njëjta situatë vazhdon edhe në muajt e tjerë dhe duke iu afruar fundit të vitit, fondi i investimeve në buxhet kalon në një situatë të vështirë për t’u besuar kur në 2 muajt e fundit mbeten 300 milionë euro për t’u realizuar. E njëjta histori ishte edhe gjatë vitit 2007 kur shpenzimet kapitale ishin vetëm 69.7 miliardë lekë dhe në muajin gusht kishin mbetur për t’u realizuar edhe 53.28 miliardë lekë investime. Ndërsa në këtë 7-mujor fondi i mbetur për t’u investuar llogaritet 70.84 miliardë lekë, duke kërkuar që të realizohet në çdo muaj që ka mbetur rreth 14 miliardë lekë. Shifra të tilla duken të vështira për t’u besuar se do realizohen. Por qeveria prej fundit të vitit të kaluar ka gjetur mënyrën për të shfryrë mosrealizimet në investime në të gjithë vendin. Fondet shkarkohen në rrugën Durrës-Kukës, e cila ende nuk dihet se sa e ka koston dhe sa fonde merr aktualisht nga buxheti. Ndërsa mosrealizimet e tjera janë mëse të dukshme. Vetëm rruga Lushnjë-Fier duket se do të ketë një vonesë sa dyfishi i kohës që ishte parashikuar për t’u ndërtuar. Ende në këtë segment nuk janë hapur 5 kilometra rrugë me 4 korsi, në një kohë që punimet e saj duhet të kishin përfunduar me kohë. E njëjta situatë është në të gjitha rrugët në vend, madje edhe në rrugën Durrës-Kukës që po tërheq pjesën kryesore të fondeve. Në shumë segmente të saj puna ende nuk ka filluar dhe specialistët bëjnë të ditur se kjo rrugë do të kërkojë edhe 2 vjet të tjera pas vitit 2009 për të përfunduar.

Seri dështimesh

Në fillim të këtij viti, kryeministri Berisha deklaroi se nuk do ta toleronte situatën e mosrealizimeve në investime që u konstatua gjatë vitit 2007. U premtua për heqje licencash për firmat që vononin punimet dhe për punë 24 orë. Por nuk ndodhi asgjë nga këto. Tashmë të gjitha rrugët e nisura janë me vonesë që sipas llogarive po kap vitin, ndërsa situata konfirmohet edhe nga shifrat në buxhet. Fundi i vitit 2008 është edhe pragu i zgjedhjeve dhe nxitimi në punët publike mund të rezultojë me miliarda abuzime në investimet publike.

Shifrat e investimeve

7 mujori 2008

1.2 miliardë dollarë

34 744 miliardë lekë

diferenca në mosrealizime 70.84 miliardë lekë

33% realizimi 7 mujor

7 mujori 2007

69. 77 miliardë lekë

16.49 miliardë lekë

diferenca 53.28 miliardë lekë

20.08% e realizimit 7 mujor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›