E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngërçi me pagat, administratat e katër gjykatave bojkotojnë punën

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Administratat e katër gjykatave në vend kanë bojkotuar sërish sot punën në shenjë proteste për shkak të moskalimit të pagave të muajit gusht.

Punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe asaj Penale të Gjykatës së Tiranës, nuk po ofrojnë shërbime deri në marrjen e pagave.

Gjithashtu sipas medieve, puna është bojkotuat edhe dhe në gjykatat e Vlorës, Fierit dhe Lushnjës.

Ndërkohë, sot gjyqtarët do të mblidhen në mënyrë urgjente pranë KLGJ-së për të diskutuar situatën.

Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, siç kishte përcaktuar Gjykata Kushtetuese.

KLGJ dhe KLP vendosën të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke rritur pagën referuese të magjistratëve. Ata argumentuan se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i detyrueshëm dhe përcaktuan rritjen me pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë për shtesën e kualifikimit.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka theksuar se situata e krijuar duhet të marrë zgjidhje përfundimtare përmes plotësimit të boshllëkut ligjor në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Gogu ka sqaruar se problemi i krijuar lidhet me mungesën e bazës ligjore për formulën e pagës së magjistratëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Administratat e Gjykatave në protestë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 5

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›