E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pagat do të rriten me vendim të Kuvendit dhe në respekt të vendimit të Kushtetueses

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas kallëzimit penal të dorëzuar nga magjistratët në SPAK, ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, si dhe drejtuesve të degëve të Thesarit në rrethe, lidhur me bllokimin e pagave.

Përme një reagimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se në këtë kallëzim mungon emri i tij dhe i ministrit të Drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ta.

Ndërsa theksoi se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit, Kryeministri siguroi se “pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

“Kallzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi:

Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit.

Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë.

Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›