E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngërçi polik sjell në Shqipëri delegacionin e KiE-së

Delegacioni kryesohet nga Presidenti i Asamblesë, Mevlut Çavushollu, dhe përbehet nga 10 komisionerë. Fillimisht ai do të takohet të hënën në mëngjes me Presidentin Bamir Topi, ku do të njihet nga Presidenti me ecurinë e negociatave të deritanishme që janë zhvilluar.

Pas informacionit të marrë nga Presidenti Topi, delegacioni i KiE do të takohet me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe në orën 11:45 (të hënën) është planifikuar takimi me kryeministrin Sali Berisha.

Më vonë, rreth orës 15:15, delegacioni do të takohet me kryetarin socialist, Edi Rama dhe drejtues të tjerë të partisë në opozitë. Për më shumë se një orë është menduar që grupi i raporterëve dhe përfaqësuesve të lartë të Asamblesë së Këshillit të Evropës do të dëgjojë kërkesat e socialistëve në opozitë.

Pas të gjithë kësaj agjende, delegacioni do të rikthehet rreth orës 17:00 në Presidencë, ku për rreth një orë do të kenë një takim përmbledhës me Presidentin Bamir Topi, që tashmë është pozicionuar në rolin e negociatorit. Misioni i Këshillit të Evropës ka planifikuar që të gjitha rezultatet e takimeve t’i bëjë të ditura në një konferencë për shtyp, ditën e martë, në orën 10:30.

Përveç kreut të Asamblesë Parlamentare të KiE, do të jenë pjesë e këtij misioni edhe dy raporterët për Shqipërinë, Jaakko Laakso dhe David Wilshire. Përfaqësuesit e tjerë janë: Luca Volontè, Andreas Gross, Anne Brasseur, Tiny Cox, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›