E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 Shkurti dita e shembjes së busteve të gjallë të Hoxhës

"19 vjet më parë, pas një greve urie të mbi 700 studentëve të Universiteteve të Tiranës, jehona e të cilës u përhap jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë Evropën dhe në botë, studentët e Tiranës, të rinjtë dhe të rejat, qytetarët dhe qytetaret e kryeqytetit, me një akt guximi dhe trimërie epike do të ngriheshin mbi frikën dhe terrorin e tankeve, autoblindave dhe falangave të armatosura gjer në dhëmbë të regjimit hoxhist, do të përmbysnin shtatoren e Enver Hoxhës, këtij Hitleri të pas Luftës së II-të Botërore, siç do ta vlerësonte Bashkimi Demokratik Evropian në deklaratën e tij të Parisit, në pranverën e vitit 1991", thuhet në këtë deklaratë.

20 Shkurti, thekson znj. Meçani më tej, është Dita e madhe e shembjes së busteve të gjalla të diktaturës hoxhiste, shpartallimit të bllokut-bunker, që kishte mbjellë shtypjen më të egër dhe më barbare, persekutimin më të thellë, ekzekutimet, burgosjet, internimet e pothuaj një të katërtës së shqiptarëve dhe kishte zhytur Shqipërinë në varfërinë dhe në izolimin më ekstrem e më të thellë.

Zëdhënësja e Kryeministrit thekson se më 20 shkurt "dikatura hoxhiste e plagosur për vdekje, do të bënte të gjitha përpjekjet që me zjarr e hekur, të rivendoste forcën e saj, do të ndërmerrte ekzekutimin e të rinjve në rrugët e Tiranës me falangat e saj të drejtuara nga Ramiz Alia dhe Gramoz Ruçi, do të akuzonte Partinë Demokratike për terrorizëm dhe do të përpiqej ta nxirrte atë jashtë ligjit".

"Sot pas 19 vitesh, Partia Demokratike në pushtet dhe koalicioni i saj qeveritar, dalin përpara shqiptarëve me zotimin solemn se garantimi i lirive dhe të drejtave të tyre, zgjerimi i tyre i vazhdueshëm, mbeten objektivat e përhershëm dhe më madhorë të programit të saj", përfundon deklaratën për shtyp zëdhënësja e Kryeministrit, Zj, Juela Meçani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›