Ngërçi politik në Kosovë, Osmani nis takimet me partitë politike, pret Albin Kurtin

Ngërçi politik në Kosovë, i ardhur konkretisht nga dështimi i 40 seancave plenare për konstituimin e Kuvendit, ka nxitur Presidenten Vjosa Osmani për të thirrur në takim krerët e subjekteve politike për gjetjen e një rruge e konsensusi për normalizimin e situatës.
Këtë të mërkurë (2 korrik) Osmani është takuar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ku pjesë e bisedimeve ka qenë pikërisht ngërçi në Kuvend.
Në një deklaratë për mediet pas takimit me Osmanin, Kurti deklaroi se do bëj çmos për arritjen e bashkëpunimit për formimin e qeverisë së re.
“Diskutuam gjerë e gjatë. I përmendëm të gjitha elementet përbërëse dhe tash zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive të tjera politike, e mbase në fund mund të shohim nëse kemi bërë përparim, sa kemi bërë përparim dhe sa është i mjaftueshëm një përparim i tillë. Besoj se duhet t’i japim shansin edhe takimeve tjera dhe në fund të shohim se cili progresi për të cilin jemi të interesuar që të gjithë”, tha Kurti.
Kurti ishte i pari lider që nisi takimin me Osmanin, teksa kryetarja e shtetit ka bërë me dije më herët se do të presë gjithashtu për bisedime, po sot, edhe liderë të tjerë të subjekteve politike
Kujtojmë se më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese kërkoi nga deputetët që të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit brenda 30 ditëve, duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
Lënda u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe disa deputetë të tjerë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Por pavarësisht këtij aktgjykimi, partitë politike nuk kanë gjetur gjuhën e konsensusit mes tyre, duke mos prodhuar asnjë zgjidhje për situatën.
/rtsh.al/