Presidentja Osmani takon të Ngarkuarën me Punë të ambasadës së SHBA-së në Kosovë Prattipati, diskutohet për konstituimin e Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti të mërkurën në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati. Takimi vjen një ditë pas pritjes zyrtare të organizuar nga ambasada amerikane në Prishtinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Presidentja Osmani e uroi edhe një herë znj. Prattipati për festën në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke ritheksuar mirënjohjen e thellë për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së ndër vite.
Gjatë bisedës, Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan për çështje të tjera me interes të përbashkët në kuadër të bashkëpunimit bilateral, duke rikonfirmuar përkushtimin për avancimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Siç thuhet në njoftimin e Presidencës, në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë në ciklin e ri të konsultimeve me partitë politike lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25.
Ky takim nënvizon rëndësinë e vazhdueshme të marrëdhënieve Kosovë-SHBA dhe angazhimin e përbashkët për stabilitet dhe zhvillim.
/rtsh.al/