Ngërçi politik në Kosovë vijon, PDK: Krijohet artificialisht nga partia në pushtet. LVV: Sabotash opozitar

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 24-të të konstituohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, për shkak të mosarritjes së ngritjes së një komisioni për votim të fshehtë për emrin e kryetarit të ri të Kuvendit. Në seancë ishin të pranishëm 96 deputetë, prej të cilëve 53 votuan pro, 1 kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Seanca e radhës do të mbahet më 2 qershor.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, e cilësoi këtë dështim si rezultat të sabotazhit opozitar, duke theksuar se janë në bisedime me NISMA-n për arritjen e një marrëveshjeje.
“Si LVV përpos zhgënjimit, përveç parregullsi edhe me mungesën e seriozitetin e deputetëve dhe agjendave të ulëta, jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të sqarohet çështja e votimit të fshehtë. Ne jemi në diskutim me NISMA-n për të gjitha temat. Do të vazhdojmë t’i dëgjojmë kërkesat dhe mendimet e tyre. Këtë kontakt jemi duke e bërë vazhdimisht dhe do të kontaktojmë çdo deputet, të cilët nuk e kanë humbur arsyen nga partitë e tyre relevante dhe të dalim nga kjo krizë sa më shpejtë”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Vlora Çitaku nga PDK deklaroi se ngërçi është artificial dhe akuzoi partinë fituese për presion politik dhe diktat.
“Për të legjitimuar presionin politik si instrument, ne kemi ngelur këtu ku jemi. Nuk votohet me diktat. Sot kemi një ngërç politik artificial dhe bëjmë ftesë për reflektim”, tha Çitaku.
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, paralajmëroi për pasoja serioze ekonomike dhe institucionale për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit.
“Nuk është vetëm keqpërdorim i një situate kjo, por janë të rrezikuar shumë vende të punës në prodhim, paratë do të eksportohen, pasojat do të jenë shumë më të mëdha në vend. Kjo është një temë, por duke mos pasur parlamentin e konstituar, duke mos votuar ligje, duke mos ecur procesi, do të jetë shumë problem”, tha Haradinaj.
/rtsh.al/