Ngjarja në Fier, Balla: E papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonjësi policie

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla shprehu sot dhimbjen për humbjen e jetës së një punonjësi të policisë në Fier.
I pyetur në një komunikim me gazetarët pas takimit me ministrin e Brendshëm gjerman, Johann Saathoff për 2 ngjarjet kriminale të ndodhura sot në Fier dhe Lezhë, Balla u shpreh se, “çdo ngjarje kriminale është në detyrën e Policisë së Shtetit që të bëjë sa më shpejt të jetë e mundur zbardhjen e saj”.
“Në fakt në të dyja ngjarjet kriminale janë zbardhur autorët. Në rastin e dytë kemi një krim në familje”, tha Balla, duke iu referuar një vrasjeje të ndodhur sot në Lezhë.
Për vrasjen në Fier, Balla u shpreh se, të gjithë drejtuesit e Policisë janë në territor, që nga drejtori i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtori i Policisë së Fierit, Lorenc Panganika.
“Dua të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndjej për humbjen e jetës së një punonjësi policie dhe po ashtu të nxis Policinë e Shtetit, drejtuesit e Policisë së Shtetit që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorëve”, tha Balla.
“Duhet të bëjmë gjithçka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo që është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonjësi policie dhe më rëndë se kaq të përdorësh armën kundër një punonjësi policie”, shtoi ministri Balla.
Balla tha se, gjithçka është informacion paraprak.
“Ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarjeje, por gjithsesi, përgjegjësia e parë që bie mbi Policinë e Shtetit, është pjesa që lidhet me identifikimin e menjëhershëm të autorëve”, theksoi më tej Balla.
Ministri i Brendshëm shprehu besim se “Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat RENEA dhe të gjitha forcat e Policisë së Shtetit, të cilat janë në këtë proces dhe në këtë operacion të madh kërkimi të konkludojnë”.
Balla i bëri një thirrje familjarëve dhe personit mbi të cilin rëndon akuza që të dorëzohet.