Vrasja e policit në Fier, Rrumbullaku: Thellësisht të tronditur, autori do vendoset para ligjit

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u shpreh sot se, Policia e Shtetit do të bjë gjithçka që të dalë para ligjit autori i vrasjes së policitnë Fier, Novruz Cenalia.
“Policia e Shtetit dhe unë personalisht ndjehemi thellësisht të tronditur nga vrasja e punonjësit të policisë Novruz Cenalia, mesditën e 13 majit. Ndarja e parakohshme nga jeta e një djali të ri si Novruz Cenalia na ka hidhëruar të gjithëve, familjen e tij, është në lot e zi, dhe familjen e madhe të Policisë së Shtetit. Për të gjithë ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë”, thekson Rrumbullaku në një deklaratë për shtyp.
“Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë”, shprehet Rrumbullaku.
“Shpreh bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah familjes Cenalia dhe Policisë së Shtetit dhe do të ndihmojë në kapjen e autorit të krimit”, shtoi më tej drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
“E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive përkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë. Kushdo që guxon të cenoje uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore”, thotë në deklaratë Rrumbullaku.
