Ngjarja në Kopshtin Nr. 1 në Gramsh, AKU: Mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve kanë rezultuar negative

Në lidhje me situatën e ndodhur në Kopshtin Nr. 1, në qytetin e Gramshit, ka reaguar edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp AKU-ja sqaron se pas verifikimeve zyrtare të gjurmueshmërisë për produktin VEZË konfirmon se mostrat e marra në subjektin prodhues të vezëve kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp.
“Gjithashtu nga komunikimi me Shërbimin Veterinar Rajonal pranë AKU është bërë e ditur se ferma e shpendëve është testuar gjatë muajit maj 2025 për Salmonelozë, rezultati i së cilës ka qenë negativ (shpendë të shëndetshëm). Mostrat e marra në subjektin e furnizuar nga prodhuesi dhe njëkohësisht furnizues i Kopshtit Nr. 1 Gramsh kanë rezultuar negative për treguesin Salmonelë spp. Mostrat e marra në subjektin Kopshti Nr. 1 Gramsh rezultojnë me prezencë të Salmonelë spp. Nga këto informacione të marra deri në këto momente mendohet se kontaminimi i vezëve ne Kopshtin Nr.1 Gramsh ka ndodhur në ambientet e Kopshtit Nr.1 Gramsh nga faktorë të tjerë jo të ushqimit (jo produkti vezë).”, thuhet në deklaratën e AKU-së.
Sipas këtij institucioni, vlen të theksohet se nga komunikimi me njësitë e NjKVSh nuk ka pasur raste të tjera problematikë me Salmonelë spp, për të cilët vijon komunikimi i vazhdueshëm ndër-institucional.
“Nga ana tjetër, postime të shpërndara në rrjete të caktuara sociale, të ndryshme nga ky njoftim zyrtar i AKU, nuk janë te sakta dhe në vetvete përbëjnë dezinformim publik. Kjo për arsye se komentet mbi ngjarjen dhe rezultatet e analizave në fjalë nuk mund të ndalen vetëm në komentimin e analizave të mostrave te Kopshtit Nr. 1 Gramsh, subjekt i ngjarjes. Në zbatim të Ligjit Nr. 9863 “Per Ushqimin” (i ndryshuar), VKM 760, datë 16.09.2015 “Për Kërkesat Për Gjurmimin dhe Ushqimit Për Kafshë Përgjatë Zinxhirit Ushqimor” saktëson proceset e gjurmueshmërisë për rastet kur produkti ushqimor rezulton i dëmshëm. Kushdo që ndjen nevojën e komenteve në raste të tilla duhet të jetë në pritje për sa kohë procesi i gjurmueshmërise dhe analizat respektive nuk kanë dalë për të gjitha hallkat e procesit të gjurmueshmërisë, i cili kalon nga subjekti i ngjarjes, tek furnizuesi dhe deri tek prodhuesi.”, njofton AKU-ja.
Duhet mbajtur parasysh se në të ardhmen kushdo që do të bëjë deklarata të papërgjegjshme apo të pasakta mund të jetë objekt i një procedimi penal.
Analizat e konfirmuara sipas ketij informimi publik te AKU në lidhje me rezultatet negative për Salmonelë spp tek subjekti prodhues dhe tek subjekti furnizues, nxjerrin në pah pasaktësinë e postimeve të caktuara në rrjete sociale.
Në zbatim të detyrimit ligjor, me angazhimin e vet të drejtpërdrejtë dhe në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, AKU do të mbetet në komunikim të vazhdueshëm në vijim.
/rtsh.al/