E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pogradeci hap sezonin turistik më 31 maj. Fundjavë me aktivitete kulturore, sportive dhe muzikore

Pogradeci, një ndër destinacionet më të preferuara të Shqipërisë për pushuesit vendas dhe të huaj, do të hapë zyrtarisht sezonin veror më 31 maj. Me këtë rast, qyteti do të mirëpresë një fundjavë plot ngjarje festive që përfshijnë aktivitete kulturore, sportive dhe koncerte muzikore.

Qyteti, i cili shtrihet buzë liqenit magjepsës të Ohrit, është përgatitur për të pritur mijëra vizitorë, në një atmosferë të gjallë dhe mikpritëse që pasqyron më së miri traditat vendase, natyrën piktoreske dhe pasurinë kulturore të zonës.

“Si gjithmonë bashkia ka marrë masat edhe më herët për këtë sezon, duke pastruar plazhin, duke krijuar një ambient sa më të kulturuar. Kjo shihet edhe tek operatorët turistik ku kanë marrë masat për një akomodim sa më të këndshëm dhe komod për turistët”, u shpreh Entela Gusho, Nënkryetare e Bashkisë Pogradec.

Gjatë gjithë ditës do të organizohen aktivitete për grup mosha të ndryshme.

“Do të jetë vëmendja tek sportet ujore, ku do kemi performancë me kanoe, gara të të rinjve, një larmi aktivitetesh kulturore sportive, performancën e teatrit të kukullave”, tha Nënkryetare e Bashkisë Pogradec.

Ky aktivitet që shënon nisjen e sezonit turistik nuk është thjesht një festë, por një ftesë për të zbuluar bukuritë dhe vlerat që Pogradeci ka për të ofruar.

Gazetare: E.  Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›