E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarje e histori që përcillen përmes kinemasë

TIRANE-Në Akademinë e filmit multimedias "Marubi", do të shfaqen një sërë filmash holandezë, nga 19 deri 22 shtator 2011. Ato vijnë si bashkëpunim i akademinë "Marubi" dhe ambasadës së Holandës dhe me mbështetjen e Institutit të Filmit EYE dhe Fondit të Filmit Holandez. Filmat janë në gjuhën origjinale, të subtitruar në anglisht dhe shqip. Të hënën më 19 shtator shfaqet filmi "Macja dhe Minjtë" me regjisor Nova Van Dijk. Ai flet për Jonas, që jeton duke grabitur mace dhe duke i kthyer ato në këmbim të shpërblimit monetar.
Pas tij shfaqet filmi "Shkretëtirë e trishtë" me regjisor Digna Sinke. Ky dokumentar i vitit 2010 trajton ishullin Tiengemeten që dikur iu përftua detit, për qëllime bujqësore. Në vitet 90-të, u mor një vendim që toka t'i lihej natyrës për të ndjekur ritmin e saj. Digna Sinke i ndoqi ndryshimet në peizazh për një periudhë më shumë se 13-vjeçare, duke mbledhur po ashtu edhe ndryshimet në vetë jetën e saj. Më 20 shtator shfaqet filmi "Rregullat e Dirkjanit!" me regjisor Remco Polman. Personazhi i filmit vizatimor holandez Dirkjan është një dështak i lindur. Por tani ai bëhet udhëheqës botëror. "Ferri i '63-shit" i regjisorit Steven de Jong do të prezantohet nga vetë regjisori. Pas sigurimit të kushteve të duhura, një garë famëkeqe patinazhi u mbajt në veri të Holandës. Gara 200 km -she duhet të përfundojë në mesnatë dhe kushdo që e përfundon merr një medalje. I bazuar në fakte reale të ditës së tmerrshme më 1963 kur, për shkak të rënies së temperaturave dhe terrenit të vështirë me mijëra patinatorë pësuan ngrirje trupi dhe lëndime tronditëse, prodhimi tregon se si vetëm një numër i vogël do ta kalonin vijën e mbarimit të garës. Por për ata që mundën, kjo do të ishte një ngjarje që do t'u ndryshonte jetën! Ndërkaq, më 21 shtator shfaqet filmi "Dhe deti nuk ishte më" me regji të Bert Haanstras. I prodhuar më 1956, filmi flet për vitin 1932, kur holandezët filluan të ndërtonin digën e ashtuquajtur Afsluitdijk. Nga mesi i viteve pesëdhjetë, ndalesat me pendë u ndërtuan njëra pas tjetrës. Fshatrat e peshkatarëve si: Bunschoten, Spakenburg, Harderwijk, Volendam dhe Edam duke përfshirë kulturën e tyre të pasur dhe traditën patën pasoja të thella nga këto ndryshime. Ata po shihnin me sytë e tyre fundin e mënyrës së tyre të jetesës. Ndërsa filmi "Para Përmbytjes" me regjisor Jos de Putter është një "Dokumentar i së ardhmes". I vendosur pjesërisht në Holandë në vitin 2070 kur duket se pjesa më e madhe e vendit do të jetë nën ujë, regjisori u qaset njerëzve që merren me ndryshimet klimatike dhe administrimin e ujërave për të gjetur në ç'drejtim po shkojnë gjërat. Filmi është një kombinim i dramës dhe realizmit, historisë dhe të ardhmes, shkencës dhe fesë, historisë së filmit dhe efekteve speciale.
Filmi i të enjtes më 22 shtator, titullohet "Stuhia" dhe ka si regjisor Ben Sombogaart. Ai flet për Julian, një nënë e re që mezi shpëton nga përmbytja e fermës së familjes së saj por rrymat e marrin përpara dhe e largojnë nga foshnja e saj. Kur shpëtohet nga një toger i ushtrisë, ajo dhe shpëtimtari i saj kthehen në zonën e fatkeqësisë, kundra evakuimit masiv, të vendosur të gjejnë fëmijën e saj. E vendosur gjatë fatkeqësisë më të madhe natyrore në historinë moderne holandeze kur digat jug-perëndimore ranë për shkak të erës dhe ujit më 1953, duke sjellë për pasojë përmbytje pjesësh të mëdha të provincave të Zeeland, Zuid-Holland dhe Noord Brabant, duke shkatërruar fshatra të tërë dhe duke vrarë "me mijëra", "Stuhia" është i pari film artistik që trajton këtë traumë kombëtare.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›