Ngjarje e rrallë në kufirin mes Koreve, dezerton një ushtar i Koresë së Veriut
Një ushtar i Koresë së Veriut ka dezertuar për në Korenë e Jugut, pavarësisht se kufiri mes dy vendeve është jashtëzakonisht i mbrojtur.
Sipas BBC, ushtari thuhet se ka vrarë dy oficerë përpara se të kalonte kufirin mëngjesin e së shtunës.
Korrespondentët thonë se dezertimet janë shumë të rralla.
Më shumë se 20 mijë persona nga Koreja e Veriut kanë kaluar për në Korenë e Jugut gjatë 60 viteve.
Dy vendet janë teknikisht në luftë pas konfliktit të viteve 1950-1953, që përfundoi me armëpushim, por jo me traktat paqeje.
Rreth një milion ushtarë dhe një milion mina tokësore janë në zonën e demilitarizuar.
Ushtari tha se kishte vrarë drejtuesin e togës dhe atë të kompanisë, ndërkohë që ishte roje.
Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes tha se u dëgjuan gjashtë të shtëna dhe rojet panë ushtarin duke kaluar vijën e demarkacionit në seksionin perëndimor.
Ata përdorën altoparlantët për të komunikuar me të e për të mësuar se ai donte të dezertonte.
Më pas e shoqëruan atë në një vend të sigurt dhe po e marrin në pyetje.