Ngjarjet e 21 janarit

Deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi është marrë në pyetje nga Prokuroria e Përgjithshme nën cilësinë e personit nën hetim. Tom Doshi akuzohet nga organi i akuzës për organizim të protestës së dhunshme të 21 janarit të vitit 2011. Së bashku me Doshin të akuzuar janë edhe deputetet e tjerë të PS-së, Taulant Balla dhe Besnik Baraj. Procedimi penal ndaj tre deputetëve ka nisur fillimisht në prokurorinë e rrethit të Tiranës, e cila pasi ka kryer veprime hetimore ka konstatuar se ka indicie dhe të dhëna që ngrenë dyshime se veprimet e kryera nga Doshi, Balla e Baraj ka elementë të veprës penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në manifestime të paligjshme. Madje një nga provat e mbledhura nga prokuroria është edhe mesazhi i gjetur në telefonin e deputetit Balla ku protestuesit e pyesin se çfarë të bëjmë tani. Tre deputetët e PS dyshohet të kenë qenë nxitësit e dhunës së ushtruar ndaj efektivëve të policisë.
Disa ditë më parë Tom Doshi dëshmoi edhe para gjykatës lidhur me ngjarjet e 21 janarit, në procesin kundër gardistëve.