E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne gjithmone e kemi ditur se ne Shqiperi ka nafte

Kompania më e madhe e naftës në Europë Royal Dutch Shell kërkon të zgjerojë hartën e saj të kërkimeve në Europën jugore e kryesisht në Shqipëri. Në një intervistë për agjencinë britanike të lajmeve ekonomike dhe financiare Bloomberg, drejtori ndërkombëtar për prodhimin në kompaninë “Shell”, Andy Broën, deklaron se “Ne gjithmonë e kemi ditur se në Shqipëri ka naftë”.  Gjatë vitit të fundit Kompania njofton se ka fituar projekte në Shqipëri, Turqi dhe Ukrainë .  “Veçanërisht jemi duke u angazhuar në pjesën jugore të kontinentit. Ne gjithmonë e kemi ditur se në Shqipëri ka naftë” shprehet Broën. Kompania, në maj i pagoi 50.3 milionë dollarë shoqërisë tjetër “Petromanas Energy  ” për të përfituar 50% të aksioneve në Bllokun 2 dhe 3 në Shqipëri. Objektivi kryesor i kompanisë lidhet, sipas drejtorit ndërkombëtar të saj, me rritjen e prodhimit kombëtar të naftës dhe reduktimin e importeve nga jashtë të këtij produkti.  Gjithashtu “Shell” ka programuar ta zgjerojë hartën e kërkimeve edhe në Itali. Broën shprehet në intervistën e tij në Londër se Italia është në zhvillim si një prodhuese interesante për naftën. Edhe Turqia sipas tij që importon pothuajse të gjithë energjinë e saj ka nevojë për të gjetur gaz për ngrohje dhe për të plotësuar kërkesën e saj të brendshme, që i kushton vendit gati 50 miliardë dollarë në vit. Shell, me seli në Hagë, ka planifikuar që të rrisë investimet në eksplorim me 35%  apo gati 5miliardë dollarë për këtë vit për të mbuluar kështu edhe shpenzimet e vitit të kaluar. Drejtori ndërkombëtar i Kompanisë anglo -holandeze  shprehet optimist për numrin e madh të mundësive. "Ne po shohim në mbarë botën në basene të ndryshme dhe ne padyshim do të punojmë shumë për të qenë të parët përballë konkurrencës”, ka thënë ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›