Ngjela-Halimit: Turp, gjykatat janë kthyer në biznes, ska pavarësi
Tiranë- Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar sot një takim me ish-ministra dhe juristë nga i gjithë vendi në kuadër të 10-vjetorit të drejtësisë shqiptare.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, u shpreh se në këto 100 vite shtet shqiptar ka pasur ndryshime të shumta sa i përket sistemit gjyqësor. Sipas tij standardet janë rritur ndjeshëm, ndërsa u shpreh se pavarësisht bindjeve politke synimi kryesor është përmirësimi i drejtësisë.
Diku pas jush, ndodhet edhe nje grup të rinjsh, studente të drejtësisë të cilët edhe ata ëndërrojnë të bëhen ministra si ne, gjë që ua uroj me shumë kënaqësi sot. Pavarësisht bindjeve të ndryshme që mund të kemi pasur apo mund të kemi akoma, ne, duke qenë së bashku sot, tregojmë që përmirësimi i sistemit të drejtësisë ka qenë dhe mbetet synimi jonë i vetëm. Jam vërtet i lumtur dhe modestish krenar që në këtë 100-vjetor, historia na sheh bashkë si shembull për tu ndjekur. Në vitet e ardhshme brezat e rinj do të gjejnë arkivat e këtij takimi, ku brezat e rinj të shohin që për disa arsye dhe parime, kundërshtarët e një dite, mund dhe duhet, të bëhen miqtë e një beteje të përbashkët,- tha Halimi.
I pranishëm ishte dhe ish-ministri i Drejtësisë, Spartak Ngjela, i cili ka kritikuar minsitrin Halimi, duke thënë se sistemi i drejtësisë sot është në gjendje të mjeruar, duke shtuar se është kthyer në një koorporatë biznesi për shkak të korrupsionit.
Më fal që të atakoj zoti minstër, por Ministria e Drejtësisë ka qenë një administratë që është përpjekur, por nuk ia ka dalë, a do vijë një moment që të themi a ka drejtësi në Shqipëri? Nuk është faji i administrimit, por një doktrinë që funksionon. Ne nuk kemi gjyqtarë të pavarur, turp ta thuash, por më duhet ta theksoj se gjykatat tentojnë të jenë korporata biznesi- tha Ngjela.
Sipas tij një nga detyrat kryesore që duhet të ketë Ministria e Drejtësisë është tu kthejë qytetarëve besimin tek gjyqësori, ndërsa u shpreh se nga ana ligjore duhet të ketë reformim tek të gjitha institucionet.
Drejtësia zoti ministër nuk është pikëpamje, për të nuk ka pikëpamje të ndryshme, është koshiencë. Te shoqëria jonë nuk ekziston koshienca e ligjit- tha Ngjela.