Ngjela: Kolegji Zgjedhor nuk është brenda pushtetit gjyqësor
Qëndrimi
Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, thotë se kërkesat e PS janë objektive dhe të realizueshme
Avokati Spartak Ngjela deklaroi dje në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla se Kolegji elektoral nuk është brenda pushtetit gjyqësor të parashikuar nga Kushtetuta. Në arsyesimin e tij ai është brenda trupës zgjedhore dhe se në këtë kontekst nuk ka asnjë pengesë për hapjen e kutive të votimit. Kreu i PDK-së Nard Ndoka tha se përballemi me një pushtet që është uzurpuar nga mazhoranca. “Edhe nëse hapen kutitë dhe kemi Berishën kryeministër prapë nuk do të ketë garanci për nesër”, tha Ndoka. Sakaq, Partia Socialiste paralajmëron ankimimin në Gjykatën Kushtetuese nëse Kuvendi do të vendosë zëvendësimin e mandateve të grupit parlamentar socialist. Në prag të negociatave Rama-Berisha, PS konsideron si të panegociueshme pikën për hapjen e kutive të votimit. Deputeti socialist, njëkohësisht nënsekretari për çështjet ligjore në PS, Damian Gjiknuri, pohoi dje se nëse do të merret një hap i tillë, do të jetë grupi parlamentar që do të vendosë. Gjiknuri paralajmëroi mazhorancën se nuk mund të luajë me mandatet e deputetëve socialistë dhe se të gjitha interpretimet e dhëna për këtë çështje janë hipoteza juridike. Për nënsekretarin e çështjeve ligjore në PS, kërkesat e opozitës për hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit janë objektive dhe kushtetueshmërisht të realizueshme. Bojkoti do të vazhdojë sipas tij, derisa komisioni hetimor parlamentar të mos jetë i kushtëzuar, duke argumentuar në këtë pikë, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2003, që lejon çdolloj objekti të hetimit.
Ndërkohë, sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, tha se për opozitën kutitë janë themeli i hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Sali Berisha nuk do të mund ta pengojë kurrë me forcë këtë hetim, prandaj ne e ftojmë atë të reflektojë me seriozitet dhe të bëhet pjesë e transparencës që kërkon opozita, shqiptarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë e të heqë dorë nga mjetet e vjetruara për të keqinterpretuar rezolutën e Këshillit të Europës dhe të vonojë me argumente false zgjidhjen e krizës”, deklaroi Dade. Sipas saj, duke pranuar Rezolutën e Këshillit të Europës, pas përpjekjesh të dështuara për ta ndryshuar atë, Sali Berisha më në fund u detyrua të pranojë ekzistencën e krizës politike dhe zgjidhjen e saj në tryezën e Presidentit.
Partia Socialiste është e vendosur që kjo krizë të zgjidhet vetëm përmes negociatash në prani të Presidentit të Republikës që do të rezultojnë në ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar me objekt hetimor të pakufizuar të procesit elektoral të 28 qershorit.
“Kur hetohet një krim, me provat nuk mund të ketë kompromis”, përfundoi deputetja socialiste. Mazhoranca ka paralajmëruar ngritjen e një komisioni hetimor, për të cilin edhe PS ka qenë dakord, por ai të mos jetë i kufizuar në mjetet e hetimit. Sipas deputetit socialist, Saimir Tahiri, një komision hetimor parlamentar i kufizuar në objektin hetimor do të ishte memec dhe i dështuar.
#