E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngrica “paralizon” Evropën

Ngrica ka goditur ashpër transportin në Evropë, duke mbyllur aeroporte, duke bllokuar rrugë dhe trena.

Shumë aeroporte në Evropën Qendrore dhe Lindore janë mbyllur për shkak të ngricës më të ashpër në dekada, përgjegjëse deri të dielën për më shumë se 200 jetë të humbura.

Anulime të shumta fluturimesh dhe vonesa kanë goditur edhe aeroportin e Amsterdamit, “Schipol” dhe atë të Londrës, “Heathrow”.

Ukraina është shteti më i goditur nga i ftohti, me temperature që kanë zbritur deri në minus 38 gradë. Ndonëse autoritetet kanë ndërtuar strehime provizore dhe kanë shpërndarë ushqime e batanije, 122 persona kanë vdekur në një javë dhe qindra të tjerë janë shtruar në spital me gjymtyrë të ngrira e ftohje.

Polonia dhe Rumania janë dy vendet e tjera evropiane më të goditura, me 27 dhe 28 viktima përkatësisht.

I ftohti ka shkaktuar viktima edhe në Bosnje, Letoni, Lituani, Estoni, Bullgari, Republikën Çeke, Itali, Sllovaki, Francë, Austri dhe Greqi, raporton “Agence France Press”.

Ndërkohë, në Romë, po regjistrohen reshjet më të dendura të dëborës në 25 vjet, teksa në Venecia, disa kanale të qytetit kanë filluar të ngrijnë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›