Ngrihet Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore në shtator, Balla: Koha për depolitizimin e komisioneve zgjedhore

Në shtator, me nisjen e legjislaturës së re, Kuvendi i Shqipërisë do të ngrejë Komisionin e ri të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, me synimin për të realizuar një reformë gjithëpërfshirëse dhe për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Bashkimit Europian.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, theksoi se një nga çështjet kyçe që do të trajtohet është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Ai akuzoi opozitën se nuk i ka besuar komisionerëve të saj gjatë procesit të numërimit dhe ka kërkuar rinumërim përmes komisionerëve të KQZ-së, çka sipas tij tregon mungesën e besimit në sistemin ekzistues.
“Nuk kam asnjë surprizë se pas rezultatit të 11 majit do të vinit këtu në kuvend me akuza se jua vodhën. Rinumërimi po bëhet, po harxhohen para nga buxheti i shtetit dhe të shërbejë si ogur pozitiv që në shtator kur të ngremë komisionin e ri të posaçëm të reformës zgjedhore të përcaktojmë qartazi edhe adresimin e rekomandimit kryesor të OSBE/ODIHR-it por edhe BE-së që t’i depolitizojmë komisionet. Fakti që ju nuk i besuar komisionerëve tuaj dhe i besuar ato të KQZ për rinumërimin tregon se ka ardhur koha ta bëjmë këtë gjë,” deklaroi Balla.
Balla shtoi se mosnjohja e rezultatit zgjedhor është kthyer në një model të përsëritur, që sipas tij ka nisur që nga viti 1997.
“Të gjithë të zeza që thua për vendin ti e kë bërë që prej ditës së parë ke nisur në 1997 që t’u vodhën zgjedhjet dhe vit pas viti bën të njëjtën gjë. Këtë e bën një njeri ndaj të cilit rëndojnë djallëzitë më të mëdha të këtij vendi”, tha Balla.
/rtsh.al/