Ngrihet komisioni për "masakrën e Tivarit"
PS: Të mbajmë një minutë heshtje për viktimat, por hetimin duhet ta bëjë Kosova. PD: Humbët një shans tjetër
TIRANË - Parlamenti miratoi dje me 69 vota pro dhe 3 abstenime komisionin hetimor që do të ketë si objekt shqyrtimi masakrën e Tivarit të ndodhur në vitin 1945. Por debatet në Kuvend nuk mund të mungonin edhe gjatë këtij procesi.
Kreu i grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. kërkoi nga deputetët e djathtë një minutë heshtje në nderim të viktimave. Një gjë e tillë u kundërshtua nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo kërkoi që më parë deputetët e majtë duhet të depozitonin në sekretari propozimin për një minutë heshtje.
Ndërkohë, deputeti Ruçi në emër të grupit socialist kundërshtoi ngritjen e një komisioni hetimor nga parlamenti shqiptar dhe u kërkoi deputetëve të mazhorancës që të mos bëjnë politikë me jetën e personave të masakruar. Sipas kreut të grupit parlamentar socialist, ngjarja e 65 viteve më parë ka ndodhur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe i takon autoriteteve të shtetit të ri të Kosovës që nisin një proces hetimi.
"Bashkëkombësit tanë, më së fundi, kanë një shtet të tyre, në të cilin kanë gjithë sovranitetin të organizojnë dhe të ndërmarrin nisma dhe të vendosin për fatin e shtetasve të tyre, qoftë për historitë e vjetra, apo për ato të reja. Ju kërkoj të mos bëni politikë me jetën e të masakruarve të kombit tonë", deklaroi Ruçi. Socialistët apeluan për veprime të matura, pasi në rast të kundërt do të ketë pasoja për vendin.
"Mos merrni veprime të pamatura që minimumi mjegullojnë dhe maksimumi shfajësojnë nga përgjegjësitë historike dhe penale të kombeve dhe shteteve të tjera që historikisht në shekullin e kaluar kanë qenë armiq të shtetit shqiptar dhe të kombit shqiptar.
Prandaj, do t'ju bëja edhe njëherë apel që për inat të vjehrrës komuniste të mos flini me mullixhiun serb. Ne nuk mund t'ju ndjekim në marrinë tuaj politike", - theksoi kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, tha se PS humbi një tjetër shans të artë për tu distancuar nga e shkuara. "Nuk mund të kërkosh të mbash një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e viktimave të pafajshme, të një mizorie të pashembullt në historinë e Europës, duke mos pranuar që të hetosh për atë ngjarje.
PD nuk ka ç't'i thotë më shqiptarëve lidhur me qëndrimin e saj ndaj regjimit të dikurshëm, sepse e ka thënë që ditën e krijimit të saj.
Partia Socialiste sot kishte një rast të artë për të bërë për herë të parë në jetën e vet një distancim nga e shkuara, por për fat të keq ajo e humbi sërish shansin", - u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat.
Socialistët nuk morën pjesë në votimin e për ngritjen e komisionit hetimor për masakrën e Tivarit, ku në përfundim të votimit këtë radhë ishin deputetët e djathtë që mbajtën një minutë heshtje.
Pikat e projektvendimit për ngritjen e komisionit hetimor:
I. Ngrihet komisioni hetimor i Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të realizuar zbardhjen e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të Masakrës së Tivarit -195.
II. Objekti i punës së komisionit hetimor është:
a) Hetimi për zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe përgjegjësive të individëve, ideatorëve, ekzekutuesve, ndihmësve dhe bashkëpunuesve - për masakrën e Tivarit.
b) Hetimi i plotë i ngjarjeve që paraprinë masakrën e Tivarit dhe rolin e individëve të përfshirë në secilën prej tyre.
c) Zbardhjen e plotë të së vërtetës historike për masakrën e Tivarit 1945 dhe nxjerrja e përgjegjësive shtetërore dhe individuale, të personave që me veprimet apo mosveprimet e tyre kontribuuan në kryerjen e saj.
d) Hetimin e plotë të fakteve dhe dokumentacionit të qëndrimit të shtetit shqiptar në vitet 1945-1990 në lidhje me këtë masakër, përpjekjeve për zbardhjen dhe/ose fshehjen e së vërtetës për të dhe rolin e strukturave shtetërore dhe individuale të kohës në raport me të.
III. Komisioni hetimor parlamentar përbëhet nga 13 deputetë. Kryetari i përket Partisë Demokratike.