E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, PD rrëzon edhe kandidatin Muçmata

Modalitetet për hetimin e zgjedhjeve.
Si do të procedohet me çështjen e fletëve të votimit.


Deputetët e djathtë votuan dje kundër kandidaturës së tretë të propozuar nga presidenti Topi për Gjykatën e Lartë


TIRANË - Deputetët e djathtë kanë rrëzuar në Parlament dekretin e tretë të Presidentit të Republikës për në Gjykatën e Lartë. Rrëzimi i kandidaturës së Vexhi Muçmatës u bë vetëm me votat e deputetëve të Partisë Demokratike, ndërsa deputetët e opozitës braktisën sallën. Vexhi Muçmataj është dekreti i dytë pas asaj të Sokol Çomos që mazhoranca nuk jep pëlqimin për në Gjykatën e Lartë.


Sipas demokratëve, kandidati Muçmataj ka integritet moral dhe profesional të mangët dhe se ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin për detyrën madhore të gjykatësit të lartë. Por, edhe dje, ashtu si edhe në Komisionin e Ligjeve, Muçmataj ka përçarë mazhoranën.


Tre deputetët e LSI-së dhe abstenimi i disa deputetëve të tjerë të djathtë ka bërë që mazhoranca të mos ishte kompakte në rrëzimin e kandidaturës së Muçmatajt.
Procesi i votimit, ashtu si edhe për dy dekretet e tjera të presidentit u zhvillua me votim të hapur. Të pranishëm në votim ishin 72 deputetë, prej të cilëve 65 votuan kundër kandidaturës së Muçmatajt për në Gjykatën e Lartë.


Katër deputetë votuan pro, ndërsa tre të tjerë abstenuan. Tre deputetët e LSI-së, Lefter Koka, Nasip Naço dhe Dritan Prifti, dhanë pëlqimin e tyre për dekretin e presidentit. Edhe në Komisionin e Ligjeve, deputeti i LSI, Nasip Naço, paralajmëroi votën e tij dhe të grupit që përfaqëson pro kandidaturës së Vexhi Muçmatajt për në Gjykatën e Lartë.


Sipas Naços, përfundimet e arritura nga deputetët e djathtë nuk janë realiste, pasi nuk kanë njohje të drejtpërdrejtë me prokurorin Muçmataj dhe për aktivitetin që ai ka ushtruar pas viteve '90-të, kohë kur ka mbajtur poste të larta në gjyqësorin shqiptar.


Edhe deputeti i PDU-së, Shpëtim Idrizi, votoi pro kandidaturës së Muçmatajt, ndërsa abstenuan Dashamir Tahiri, Fatmir Mediu dhe Paulin Sterkaj. Partia Socialiste nuk mori pjesë në procesin e votimit për dekretin e Muçmataj, ashtu si edhe në Komisionin e Ligjeve ku deputetët e majtë nuk u paraqitën në momentin e votimit të relacionit për dekretin e tretë të presidentit për në Gjykatën e Lartë.


Një tjetër arsye për rrëzimin e kandidaturës së tretë të presidentit Topi për në Gjykatën e Lartë, sipas mazhorancës, lidhet edhe me shërbimin që kandidati ka bërë në strukturat represive të regjimit të vjetër komunist në rolin e hetuesit dhe që për deputetët e djathtë ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në hetimin e veprave të një natyre politike.


Për demokratët, një fakt i tillë bie ndesh me kërkesën publike, morale dhe institucionale të mazhorancës së Kuvendit se nuk mund të konsiderojë depozitarë të besimit të saj institucional, individë me karrierë gjyqësore, prokurorë apo hetues që kanë marrë pjesë në hetimin e veprave politike para vitit 1990.


Topi i dorëzon Bicit dekretin e emërimit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi dje paradite në Presidencë gjyqtarit Medi Bici dekretin e emërimit në Gjykatën e Lartë, duke e përgëzuar dhe duke i uruar njëkohësisht suksese në detyrën e rëndësishme dhe plot përgjegjësi.


Anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë, Medi Bici u propozua nga Presidenti Topi për në Gjykatën e Lartë më 25 maj 2010 dhe kandidatura e tij u votua dhe u miratua në Parlamentin shqiptar javën e kaluar.


Medi Bici është e vetmja kandidaturë që mori pëlqimin edhe të Parlamentit. Dy emrat e tjerë të dekretuar nga Presidenti, Sokol Çomo dhe Vexhi Muçmata, nuk mundën që të marrin pëlqimin e deputetëve të djathtë. Ndërsa opozita nuk ka marrë pjesë në votime, pasi kundërshton ndryshim e Rregullores së Kuvendit që përcakton se votimi do të bëhej i hapur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›