E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ngrohja globale, OKB paralajmëron: S’ka asnjë rrugë që të qëndrojë në kufirin e 1.5 gradë

Nuk ka “asnjë rrugë të besueshme” për të mbajtur rritjen e temperaturave globale nën pragun prej 1.5 gradë Celsius, sipas një vlerësimi të ri të OKB-së. Shkencëtarët besojnë se kalimi i pragut 1.5 gradë do të kishte ndikime të rrezikshme për njerëzit në të gjithë botën.

Sipas raportit, planet e qeverive për uljen e karbonit kanë qenë “mjerisht të papërshtatshme”, teksa theksohet se vetëm një transformim urgjent i shoqërisë do të mund të shmangte një fatkeqësi të mundshme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se bota duhet të ripërqendrohet në ndryshimin e klimës ose të përballet me katastrofën. Sipas raportit, me politikat aktuale në fuqi, bota do të ngrohet me rreth 2.8 gradë këtë shekull.

Nëse vendet vënë në praktikë planet që kanë bërë, ngrohja mund të ulet në nivelin e 2.4 gradë Celsius.

“Ne patëm mundësinë tonë për të bërë ndryshime, por tashmë ajo kohë ka mbaruar. Vetëm një transformim rrënjësor i ekonomive dhe shoqërive tona mund të na shpëtojë nga përshpejtimi i katastrofës klimatike“, tha Inger Andersen, Drejtore Ekzekutive e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›