Ngrohja me mangall asfikson një familje në Vlorë
VLORE -Në përpjekje për tu ngrohur nga të ftohti, një familje me 9 persona ka përfunduar në spital. Ngjarja ka ndodhur natën e shkuar në Vlorë, kur të gjithë anëtarët e një familje kanë përfunduar në urgjencë të asfiksuar nga monoksidi i karbonit. Familjarët u kanë treguar mjekëve se kishin ndezur zjarr në një mangall, të cilin e kanë lënë të ndezur gjatë gjithë natës. Për pasojë, monoksidi i çliruar ka mbushur shtëpinë, duke asfiksuar 9 persona, fatmirësisht duke mos iu shkaktuar vdekjen.
Një nga gratë e familjes Dapa ka pasur dhimbje të forta koke dhe është zgjuar nga gjumi. Ajo ka gjetur familjarët e tjerë të asfiksuar dhe ka lajmëruar fqinjët të cilët i kanë transportuar në spital. Pas ndihmës së parë dhe një nate në spital ata sot paradite janë kthyer në shtëpinë e tyre.
(d.b/BalkanWeb)