Presidenca e BE-së: Ligji i Dosjeve ka hyrë në fuqi, tani pritet zbatimi

Marketa Fialkova, ambasadorja e Çekisë në Tiranë, vendi i të cilit ka presidencën e Bashkimit Evropian, ka vlerësuar ligjin e lustracionit si të nevojshëm dhe të vlefshëm, duke konfirmuar se hapja e dosjeve nuk do ta pengojë Shqipërinë drejt rrugës së integrimit, përkundrazi, do ta përshpejtojë atë
TIRANE - Mesazhi i Marketa Fialkova, ambasadores së Çekisë në Tiranë, lidhur me ligjin e lustracionit, është mirëpritur dje nga ish-të përndjekurit politikë në Shqipëri.
Pas një takimi me të përndjekurit, në mënyrë mjaft diplomatike por dhe të prerë, diplomatja çeke deklaroi se, “hapja e dosjeve nuk do ta pengojë Shqipërinë drejt rrugës së integrimit”.
Diplomatja çeke gjithashtu deklaron se ky ligj është më se i nevojshëm dhe garanton se do të japë asistencën e nevojshme për zbatimin sa më korrekt të këtij ligji.
Si ish-juriste Fialkova shprehet se nuk do të bënte asgjë më ndryshe.
E bindur që ligji për dosjet nuk do të sjellë pengesa në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian Ambasadorja çeke Fjalkova vendi i së cilës mban Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, pohon se, ligji vlen.
Ajo pohoi dje se “Shqipëria ka një ligj atë të pastrimit të figurave i cili ligjërisht vlen, por ka disa kundërshtime dhe kritika pasi ligji përfshin disa pika që janë antikushtetuese, ka probleme procedurale, pjesa tjetër është se nëse mbrojtja e nevojshme e kësaj vlere në demokraci është e garantuar nga forca të barabartë. Ligji po shqyrtohet dhe vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese sepse është në fuqi, e kjo gjë duhet të respektohet. Edhe Çekia ka një ligj si ky, nuk është i njëjti por ka ngjashmëri me të”.
Diplomatja çeke ka mënjanuar çdo koment mbi vendimet që janë marrë nga qeveria për ligjin e lustracionit pasi sipas saj, ky ligj tashmë gëzon dhe miratimin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.
“Në qoftë se Shqipëria vendos që ligjin ta ndryshojë, Bashkimi Evropian dhe Komuniteti Evropian në tërësi është i përgatitur që të japë këshillat e nevojshme juridike që ky ligj të ketë format e nevojshme. Sot Komuniteti për Ballkanin Perëndimor, në përbërje të së cilit ka disa vende anëtare të Bashkimit Evropian mblidhet në Bruksel për ligjin më të debatuar në Shqipëri, atë të dosjeve. Ankesa e opozitës mbi ligjin e dosjeve, do të diskutohet në Bruksel nga Komisionarë të Këshillit të Evropës, të cilët do të shqyrtojnë për mënyrën e zbatimit të këtij ligji në Shqipëri. Në tre muajt e fundit vazhdimisht Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe qeveria amerikane por edhe OSBE kanë dhënë kritikat e tyre lidhur me ligjin e dosjeve, i cili sipas tyre cenon rëndë Kushtetutën e vendit. Në kohën kur ky ligj ka hyrë në fuqi disa herë diplomatët e huaj po bëjnë thirrje që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese ose të ndryshohet ligji”, u shpreh ambasadorja çeke Marketa Fialkova.