E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngulfatja veriore e KosovësNga Blerim Shala, Express Koha nuk është me ne. Dhe javët dhe muajt e ardhshëm mund të sjellin për Kosovën shumë më tepër lajme të këqija sesa të mira, po qe se vazhdohet me politikën e sotme të qeverisë së Kosovës Kem

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ngulfatja veriore e KosovësNga Blerim Shala, Express Koha nuk është me ne. Dhe javët dhe muajt e ardhshëm mund të sjellin për Kosovën shumë më tepër lajme të këqija sesa të mira, po qe se vazhdohet me politikën e sotme të qeverisë së Kosovës

Kemi lejuar që Boris Tadiç, kryetari i Serbisë, të vizitojë Kosovën, sepse ai vjen në Manastirin e Deçanit me rastin e Kërshëndellave Ortodokse, ndërsa kushti që të bëhet kjo vizitë është që Tadiç të mos ketë prononcime politike.
Në një të vetmen fjali, që përmban qëndrimin e qeverisë së Kosovës ndaj kësaj sprove problematike, evidencohen tri gabime të rënda politike të udhëheqësisë kosovare:
Së pari, qeveria e Kosovës nuk ka marrë kërkesë prej Tadiçit për të qëndruar në Kosovë, por ka marrë sugjerim prej Zyrës së Pieter Feithit (kësaj radhe, ai ka vepruar si Emisar Special i Bashkimit Evropian, e jo si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, për shkak të asnjanësisë së tij ndaj statusit kur vepron si autoriteti më i lartë i BE në Prishtinë), që kryetarit të Serbisë t’i mundësohet ardhja në Kosovë.
Së dyti, kryetari i Serbisë, jo vetëm tani, kur dihen çfarë janë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, por as më vonë, kur do të ndodhë ajo e domosdoshmja, që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës, nuk mund të vijë në Manastirin e Deçanit ose kudo qoftë, duke i dhënë vizitës së tij karakter krejtësisht privat, dhe në shërbim të një kremtimi fetare.
Së treti, Tadiç, ashtu siç edhe pritej, jo vetëm që bëri deklarata politike, por madje edhe na mbajti ligjërata se çka është paqja, dhe si duhet të ndërtohen raportet midis njerëzve dhe popujve, thuajse është përndritur, papritmas, prej mësimeve të Nënës Terezë.
Pozicioni i qeverisë së Kosovës, siç u pa prej të gjithëve nesh, u bë hi e pluhur pas kësaj vizite të Tadiçit. Autoritetet kosovare, ose hezitonin të komentonin deklaratat e Tadiçit, thuajse për vlerësimin e tyre duhet bërë një analizë dhe një ekspertizë, ku duhen ftuar edhe juristët më të shquar ndërkombëtarë, ose nxirrnin prej sirtarëve të tyre formulime bajate që Tadiç po bën propagandë politike, ose që Tadiç dhe Beogradi zyrtar po vazhdojnë të kenë iluzione politike.
Në fakt, autoritetet zyrtare të Kosovës jetojnë në një iluzion të madh që e tërë kjo çfarë po bën Tadiç, tok me lidershipin serb, është një iluzion dhe një vetëmashtrim.
Beogradi po arrin të ecën në drejtim të BE, jo vetëm duke e ruajtur rolin e tij në Kosovë, përmes strukturave të tij të pushtetit, por madje duke e përforcuar pozicionin e tij në Kosovë, në të gjitha drejtimet e mundshme. Beogradi kurrë nuk ka qenë më i pranishëm në Kosovë (që prej përfundimit të luftës, në qershorin e vitit 1999), kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm dhe më i organizuar. Beogradi e di që nuk ka gjendje të pandryshueshme në politikë apo gjendje të status quo-së, e cila kinse mbretëron në veri të Kosovës apo në territoret me shumicë serbe në Kosovë. Politika nuk e duron vakuumin, njëlloj si natyra. As pasivitetin e hezitimin. As mungesën e qëndrimeve politike, të planeve afatgjata, të gatishmërisë dhe të vullnetit për të vepruar.
Derisa Serbia ka zaptuar realitetin politik (dhe jo vetëm politik), në veri të Kosovës, derisa Beogradi ka plane, ka strategji, ka vullnet dhe ka veprime konkrete, të përditshme në Mitrovicë dhe kudo në Kosovë ku ka serbë, lidershipi i Kosovës po jeton me iluzionin që gjendja në veri do të përmirësohet me kalimin e kohës, që integrimi i serbëve në institucionet e vendit është proces i pandalshëm, që integriteti i Kosovës është i garantuar.
Veriu i Kosovës, duhet thënë hapur, asnjëherë nuk ka qenë më larg Prishtinës. Beogradi, si kurrë deri më tash, ka fuqizuar pozicionin e tij në veri të Kosovës, së fundi, edhe duke ndërhyrë, në mënyrën më brutale të mundshme, në sistemin energjitik të Kosovës, dhe duke shpallur publikisht, që i ka ndarë 42 milionë euro të buxhetit të vet për pushtetin e tij në Kosovë, i cili do të ushtrohet edhe prej gjykatësve dhe prokurorëve të tij.
Si i përgjigjemi ne kësaj politike fare të qartë të Serbisë? Me deklarata të kota, me konferenca për shtyp ku refuzohet të pranohet realiteti, me përkthimin dhe transformimin e temave politike dhe legale në tema a çështje humanitare, të rindërtimit të shtëpive, në mbrojtjen, madje, të pasivitetit të skajshëm politik, duke pohuar që çdo qasje tjetër do të ishte e barabartë me një konflikt të ri ushtarak etj., etj.
Janë dy skajshmëri politike, kur trajtohet veriu i Kosovës: Kjo e para identifikohet me politikën e sotme të Prishtinës zyrtare (nëse kjo ka të bëjë fare me politikën), e ajo e dyta, me mësymjen që brenda natës, radikalisht, të ndërrohet gjendja në këtë pjesë të vendit, duke rrezikuar edhe konfliktin e armatosur.
Midis ngecjes së sotme dhe një shpejtësie marramendëse, e cila do të bënte që ne t’i biem murit me kokë dhe përfundimisht ta humbim veriun, epilog ky që na kërcënohet edhe me politikën e pasivitetit total, ekziston në hapësirë e mirë për manovrime politike, të cilat do ta kthenin veriun e vendit në statusin problemor që objektivisht ka: Veriu i Kosovës është kategori kushtetuese (funksionimi i Kushtetutës në gjithë territorin) dhe është kategori e rendit dhe e ligjit (kthimi i rendit, i doganave, i gjyqësisë etj).
Bazuar në këtë vlerësim, qeveria e Kosovës do të duhej urgjentisht të përgatiste një Strategji për mbulimin kushtetues dhe ligjor të kësaj pjese të Kosovës.
Hartimi i kësaj Strategjie imponohet, jo vetëm si kundërpërgjigje ndaj politikës gjithnjë e më agresive të Serbisë, por edhe në kontekstin e përgatitjes për zhvillimet në Kosovë pas shpalljes së qëndrimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), dhe gjatë gjashtëmujorit të kryesimit të BE nga ana e Spanjës.
Koha nuk është me ne. Dhe javët dhe muajt e ardhshëm mund të sjellin për Kosovën shumë më tepër lajme të këqija sesa të mira, po qe se vazhdohet me politikën e sotme të qeverisë së Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›