E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shpëton HEC-et e vogla?Nga Ervin QafmollaPronarët e termocentraleve, që parashikohet të ndërtohen në vend, do të detyrohen që përveç energjisë elektrike, që prodhohet nga djegësit fosilë, si nafta, gazi e qymyri, të prodhojnë sasi të përcaktu

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Qeveria shpëton HEC-et e vogla?Nga Ervin QafmollaPronarët e termocentraleve, që parashikohet të ndërtohen në vend, do të detyrohen që përveç energjisë elektrike, që prodhohet nga djegësit fosilë, si nafta, gazi e qymyri, të prodhojnë sasi të përcaktuara nga burime të rinovueshme. Këtu bëjnë pjesë uji, era dhe dielli. Aktualisht bëhet fjalë për një kuotë në masën 3% të prodhimit total. Gjithçka mundësohet përmes një ligji, i cili sanksionon sasitë e “energjisë së pastër” nga prodhues që nuk përdorin burime të rinovueshme.
“Prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike nga burime jo të rinovueshme energjie, me kapacitet mbi 50 MW, janë të detyruar të prodhojnë dhe/ose injektojnë në sistemin elektroenergjitik energji elektrike në masën jo më pak se 3 për qind të prodhimit të tyre të përgjithshëm vjetor të vitit pararendës, nga centrale prodhuese që përdorin burime të rinovueshme”, - thuhet në ligjin e ri. Kjo kuotë do të rritet me 0.75 për qind në vit në periudhën 2010-2012.
“Këshilli i Ministrave autorizohet të ndërmarrë nisma nxitëse dhe mbështetëse për ndërtimin e centraleve që shfrytëzojnë energji të rinovueshme. Brenda gjashtë muajve Këshilli i Ministrave duhet të miratojë mekanizmat e nxitjes... si edhe të përcaktojë incentivat për ndërtimin e këtyre centraleve”, - shkruhet në ligjin e ri.
Kjo masë është një praktikë tipike e Bashkimit Evropian, përmes së cilës synohet vënia në punë e burimeve të rinovueshme të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe angazhimi i kapaciteteve që funksionojnë me këtë lloj energjie. Gjithashtu, në këtë mënyrë përmirësohen edhe praktikat dhe eficienca e prodhimit të energjisë së pastër. Të paktën në nivel teorik. Eksperti i sektorit energjetik, Gjergj Simaku, tha për “Mapo”-n se kjo është një masë në përputhje me praktikat evropiane të prodhimit të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, burime të revistës pranë Ministrisë së Energjitikës bënë me dije se institucione pranë BE kishin pasur rolin e tyre në nxitjen e këtij ligji.
Ndërkaq, pala shqiptare ka interesa të tjera të përfshira në lojë. Sipas marrëveshjeve të deritanishme flitet për të paktën 2000 Megavat fuqi të instaluar, të parashikuara që të materializohen përmes ndërtimit të termocentraleve që përdorin naftë, qymyr dhe ndoshta gaz. Një prodhim energjie në këto nivele do të ulte ndjeshëm çmimin në tregun e brendshëm edhe pse Shqipëria përfiton sasi të kufizuara nga energjia e prodhuar. Si rrjedhojë një pjesë e investimeve të kryera në HEC-et e vogla rrezikohen nëse do të jenë eficiente apo jo. Në këtë mënyrë, ligji i ri shërben si kamerdare shpëtimi për prodhuesit e vegjël të energjisë elektrike. Por përfitues të tjera, parashikohet të jenë edhe parqet eolike, siç është ai që parashikohet të ndërtohet në Karaburun.
Aktualisht në Shqipëri ka vetëm termocentrali i Vlorës me fuqi 93 Megavat, por duke qenë se ky impiant funksionon nën pronësinë e KESH, ndonëse është kompani e veçantë, nuk dihet nëse preket nga sanksionet e ligjit të ri. Ndërkaq, është licencuar edhe ndërtimin i një termocentrali me madhësi 2 mijë Megavat, që mund të ndërtohet gjatë viteve të ardhshme në Porto Romano.

Energjitë alternative?

Duke qenë se Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore, orientimi më logjik i përdorimit në mënyrë eficiente të këtij ligji do të ishte investimi apo blerja e kuotave të prodhimit nga energjia elektrike e prodhuar përmes burimeve ujore. Por, sakaq kanë hyrë në lojë edhe energjia nga dielli si dhe ajo e erës.
Por, të dy këto burime të pastra të prodhimit të energjisë elektrike rezultojnë përgjithësisht jo eficiente dhe me kosto artificiale tepër të larta. Energjia diellore është një ndër eksperimentet e suksesshme në nivel individual/familjar - pra nëse përdoret për ngrohje të shtëpive individuale - por, e dështuar në nivel të prodhimit masiv. Me kërcënimin e ngrohjes globale dhe rënien graduale të rezervave të naftës dhe gazit natyror, shumë herë është folur për arsyet e mospërdorimit masiv të energjisë diellore. Së pari, intensiteti energjetik i energjisë diellore është relativisht i ulët. Ndonëse drita e diellit u jep energji shumicës ë proceseve natyrore në planet, sasia e kësaj energjie për metër katror është tepër e vogël. Sasia mesatare e dritës së diellit që mbërrin në tokë është rreth 300 vat për metër katror. Kjo vlerë është më e lartë në tropik apo në zona ku ka përgjithësisht më pak re. Diçka pozitive për sa i përket përdorimit individual lidhet me faktin se një sipërfaqe e paneleve diellore sa 10% e sipërfaqes së dyshemesë së një shtëpie mjafton për të siguruar ngrohje për pjesën më të madhe të shtëpisë. Ndërsa për ta shndërruar në prodhim masiv, nevojiten më së pari sipërfaqe të mëdha toke për t’u mbuluar me panele diellore. Këtu përfshihen probleme të tjera, si norma deri diku e lartë e amortizimit të qelizave të paneleve diellore, kostot e larta të prodhimit të paneleve, si dhe kostot e futjes së energjisë s prodhuar në rrjet. Deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë garantuar disa projekte që paraqiten më të përshtatshme për prodhim masiv, por megjithatë përballen me kosto të lata të prodhimit të pajisjeve. Aktualisht, kjo lloj energjie është në fazë eksperimentimi dhe nuk konsiderohet e përshtatshme për prodhim konvencional të energjisë elektrike.

Era, një rast i pashpresë?

Shifrat e prodhimit të energjisë së erës nga zhvilluesit dhe zotëruesit e impianteve të prodhimit me erë, zakonisht paraqiten përmes të dhënave të vagullta të “numrit të shtëpive që furnizohen”. Por një përllogaritje e tillë cilësohet si e papërshtatshme dhe jo korrekte nga teknikët. Nga ana tjetër, nëse i bëhet referencë mesatares së prodhimit, shifrat injorojnë faktin që orë pas ore, ditë pas dite dhe stinë pas stine, edhe zonat me më shumë erë përballen me periudha të gjata “qetësie”, kohë gjatë të cilave turbinat nuk prodhojnë fare energji elektrike ndërsa në ciklet normale të erës, prodhojnë sërish shumë poshtë kapacitetit të tyre maksimal. Për më tepër, kur erërat janë shumë të forta, turbinat duhen ndalur që të mos dëmtohen.
Këto luhatje janë përpjekur të mënjanohen përmes instalimit të parqeve eolike në zona të ndryshme, si dhe shtrirjes së kabllove dhe infrastrukturës mbështetëse elektrike në mënyrë që të garantohet nj farë prodhimi i mjaftueshëm. Por, në vend të një energjie “të lirë dhe të pastër”, rezultati është ai i rrjeteve të kushtueshme të instalimeve të shumta që duhet të mbulojnë sipërfaqe të tëra në përpjekje për të garantuar një kontribut të qenësishëm.
Duke lënë mënjanë ndryshimet atmosferike, rrjeti i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë duhet të rregullohet në mënyrë që të parashikojë luhatjet e erës. Si rrjedhojë, termocentralet e mëdha nuk mund t’u përgjigjen në kohë këtyre ndryshimeve të erës, kështu që praktikisht ato duhet të vazhdojnë të jenë në punë, pavarësisht faktit nëse ka erë të mjaftueshme apo jo.
Në krye të listës së paradokseve qëndron fakti se turbinat e erës përdorin shumë energji elektrike më vete, thjesht për të qenë në punë. Shumica e impianteve ekzistuese në botë, nuk arrijnë as të funksionojnë nëse nuk marrin energji nga rrjeti! Edhe pse prodhojnë energji me shkëputje, u duhet ta konsumojnë atë vazhdimisht, sa herë që janë në punë.
Tashmë është bërë e qartë se prodhimi industrial i energjisë elektrike përmes erës nuk kontribuuan aspak në reduktimin e ngrohjes globale, ndotjes, mbetjeve të termocentraleve apo varësisë nga importet e karburanteve. Në Danimarkë, që është vendi me më shumë turbina ere për frymë në botë, prodhimi nga impiantet e erës arrin në nivelin 15%-20% të totalit të energjisë që konsumon vendi. Megjithatë, kjo është një energji që në masën më të madhe Danimarka nuk e konsumon! Gazeta e Kopenhagës “Politiken” raportoi që një rast, gjatë një viti të tërë, vendi kishte përdorur vetëm 1.7% të energjisë së prodhuar nga era. Menaxheri i sistemit elektrik për Danimarkën perëndimore raportoi që për vitin 2002, për shembull, 84% e energjisë së prodhuar nga era ishte eksportuar me ulje të mëdha në çmim, duke qenë se termocentralet kishin qenë në punë gjithë kohës, për shkak të paparashikueshmërisë së luhatjeve të erës.

Situata aktuale

Aktualisht, energjia e prodhuar në Shqipëri vjen në masën 100% nga burime hidrike (TEC-i i Vlorës mund të prodhojë, por nuk është futur ende në punë), të cilat lidhen kryekëput me nivelin e reshjeve. Një masë shpëtimi e hedhur në tregun e opinionit publik në vitin 2007, por që pakkush e bleu, lidhej me HEC-et e vogla. Sipas disa propozimeve gjysmë-elektorale, ndërtimi i HEC-ve të vogla do të kontribuonte në përmirësimin e situatës hidrike. Në mesin e viteve ’80, kur HEC-e të tilla kanë qenë në maksimumin e kapacitetit dhe numrit të tyre, ato nuk mbulonin më shumë se 3% të nevojave totale të vendit. Nga ana tjetër, ndërtimi i një hidrocentrali paraqet kosto më të larta se ai i një termocentrali, për arsyen e thjeshtë se kthimi i investimit ndodh shumë gradualisht, duke qenë shumë i kushtëzuar edhe nga faktorët sezonalë dhe ndryshimet klimatike. Ndërkohë që një termocentral mund të prodhojë energji 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, duke mos qenë i varur nga faktorë, të cilët shkojnë përtej kontrollit njerëzor.
Në vijim të këtij reflektimi u hodh ideja e ndërtimit të termocentraleve të tjera, përveç atij të Vlorës. Ca më vonë ideja evoluoi në ndërtimin e shumë njësive prodhuese të energjisë alternative nga ajo e ujit, për të mbërritur në të tashmen, kur qeveria synon ta shndërrojë vendin në “superfuqinë energjetike të rajonit”. Një përllogaritje e projekteve të certifikuara deri më sot nga Kryeministri Sali Berisha dhe nga Ministria e Energjetikës flasin për të paktën 2000 Megavat fuqi të instaluar, në një kohë që sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, nevojat e vendit për prodhim energjetik, alternativ nga ai nga hidrocentralet deri në vitin 2020, kufizohen në jo më shumë se 600 Megavat, sigurisht nëse flitet për të ardhmen. Logjikisht, do të thotë se sot për sot nevojiten shumë më pak. Në skenarin prej 2000 Megavatësh, nuk bën pjesë ëndrra shqiptare për central bërthamor, çka në terma praktikë do ta shndërronte vendin në eksportues neto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›