E Enjte, 5 Nëntor 2026

Nigeri shpall dy ditë zie pas sulmit ku humbën jetën 69 persona

Qeveria e Nigerit shpalli të enjten dy ditë zie kombëtare pasi 69 persona, përfshirë një kryetar bashkie, humbën jetën në një “sulm terrorist” në jugperëndim të vendit.

Sulmi të martën kishte në shënjestër një delegacion të kryesuar nga kryetari i bashkisë së Banibangou në rajonin Tillaberi pranë kufirit me Malin, theksoi qeveria në një njoftim.

Pesëmbëdhjetë persona mbijetuan, disa u plagosën dhe dhjetëra janë të zhdukur, theksohet më tej.

Pas tragjedisë, qeveria shpalli periudhë zie kombëtare prej 48 orësh nga e premtja.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Por më herët, ministri i Brendshëm Alkache Alhada tha për televizionin shtetëror se një operacion kërkimi është duke u zhvilluar.

Në gusht, militantët kryen një sulm në të njëjtën zonë ku u vranë 37 persona.

Muajin e kaluar, 10 persona u vranë kur militantët sulmuan një xhami në Banibangou gjatë kohës së lutjes.

Për sulmet që kanë në shënjestër civilët dhe ushtrinë fajësohen DEASH-in dhe një grup te lidhur me Al-Kaedën./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›