E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shefi i inteligjencës egjiptiane zbulon kushtet e armëpushimit të propozuar midis Izraelit dhe Hamasit

Shefi i inteligjencës të Egjiptit, Abbas Kamel tha të enjten se Kajro është përkushtuar të arrijë marrëveshje për një armëpushim midis Izraelit dhe grupit palestinez të rezistencës Hamas në Gaza, e cila përfshin shkëmbimin e të burgosurve.

Kamel këto deklarata i bëri gjatë një interviste me gazetarët izraelitë Barak Ravid dhe Nadav Eyal për uebsajtin e lajmeve Axios me bazë në SHBA, në margjinat e Samitit të ndryshimeve klimatike COP26 në Glasgow të Skocisë.

Ai zbuloi se armëpushimi i propozuar përfshin armëpushim afatgjatë, shkëmbim të të burgosurve, ndihmë humanitare dhe rindërtimin e Gazës.

“Egjipti bisedon çdo ditë me Izraelin dhe palestinezët për disa çështje, përfshirë marrëveshjen e mundshme afatgjatë të armëpushimit në Gaza”, tha Kamel.

Gjatë ofensivës izraelite në maj, 260 palestinezë humbën jetën dhe mijëra të tjerë u plagosën, si dhe lanë një gjurmë të madhe shkatërrimi në Gaza. Grupet e rezistencës palestineze u përgjigjën me breshëri raketash në zonat izraelite, duke vrarë të paktën 13 izraelitë.

Kamel tha se marrëveshja e shkëmbimit të të burgosurve “duhet të fillojë me lirimin e të burgosurve të moshuar palestinezë, grave dhe adoleshentëve palestinezë që ndodhen në burgjet izraelite”.

Ai potencoi se marrëveshja do të përfshijë “hapa të mëtejshëm ekonomikë dhe humanitar” për palestinezët në Gaza.

Gaza ka qenë nën një bllokadë të rreptë izraelite që nga viti 2007, në të cilën shumica e mallrave bazë ende nuk lejohet të hyjnë në rajon për shkak të masave shumë të rrepta.

Për çështjen e bisedimeve midis palestinezëve dhe izraelitëve, ai tha se Egjipti dëshiron të shohë qeverinë e re izraelite dhe udhëheqjen palestineze në Ramallah të fillojnë një lloj dialogu politik.

Bisedimet e paqes midis palëve palestineze dhe izraelite dështuan në vitin 2014 pasi Izraeli u tërhoq nga vendimi i tij për lirimin e grupit të katër ish-të burgosurve si dhe refuzoi të ndaloj planet e saj për ndërtimin e vendbanimeve.

Shefi i Inteligjencës Egjiptiane zbuloi se ai do të vizitojë Izraelin më vonë gjatë këtij muaji për bisedime me kryeministrin Naftali Bennett dhe zyrtarë të tjerë të lartë, duke shtuar se ai do të takohet me presidentin palestinez Mahmud Abbas në Ramallah në Bregun Perëndimor./AA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›