E Diel, 1 Nëntor 2026

Nikola Kedhi: Interporti, çelësi për Shqipërinë prodhuese dhe daljen nga modeli i sotëm

Në tryezën me temë “Si të shpëtojmë Portin e Durrësit”, politologu Nikola Kedhi paraqiti një platformë të detajuar për zhvillimin e infrastrukturës portuale dhe ekonomike të vendit, duke e lidhur atë me vizionin e Partisë Demokratike për një “Shqipëri prodhuese”.

Në fjalën e tij, Kedhi theksoi se synimi nuk është thjesht ndryshimi i qeverisë, por transformimi i modelit ekonomik dhe politik në vend. Ai e përshkroi vizionin si një Shqipëri të bazuar te prodhimi vendas, sipërmarrja, meritokracia dhe taksat e ulëta.

Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte projekti i “Interportit”, që sipas tij synon ta kthejë Porti i Durrësit në një nyje moderne logjistike dhe ekonomike, të lidhur me korridoret rajonale dhe tregjet europiane. Sipas këtij koncepti, porti nuk do të shërbejë vetëm si pikë shkarkimi, por si qendër e integruar për transport, magazinim, përpunim dhe shpërndarje mallrash.

Kedhi ngriti shqetësime për mënyrën e menaxhimit të projekteve aktuale, duke paralajmëruar rrezikun që Shqipëria të mbetet pa port funksional dhe të përballet me pasoja financiare nga arbitrazhet ndërkombëtare. Ai kërkoi transparencë të plotë për kontratat me investitorët e huaj, përfshirë publikimin e marrëveshjeve dhe klauzolave përkatëse.

Gjithashtu, ai propozoi auditim të plotë nga KLSH për të gjitha kontratat koncesionare portuale, si dhe verifikimin e pronarëve përfitues të kompanive të përfshira, sipas standardeve të Bashkimit Europian.

Në vijim të fjalës, Kedhi solli shembuj ndërkombëtarë si portet e Rotterdamit dhe Koperit, duke theksuar se modele të ngjashme mund të aplikohen edhe në Shqipëri për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të krijuar vende të reja pune.

Sipas tij, zhvillimi i porteve dhe lidhja e tyre me hekurudhat dhe korridoret ekonomike do të ndikonte drejtpërdrejt në rritjen e punësimit, fuqizimin e fermerëve dhe zgjerimin e tregjeve për bizneset shqiptare.

Në përfundim, Kedhi theksoi se portet duhet të trajtohen si asete strategjike kombëtare dhe jo si hapësira për zhvillim ndërtimi, duke nënvizuar se ky është dallimi mes modelit aktual dhe alternativës që propozon opozita.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›